BE sot vendos për Shqipërinë

Këshilli i BE'së do të mblidhet sot për të marrë vendim lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë, si dhe lidhur me nisjen e mundshme të negociatave për anëtarësimin e Serbisë.

Lajme

17/12/2013 08:36

Në draft-konkluzionet e Këshillit të BE-së, siguruar nga Top Channel, flitet ende për t’i përcjellë samitit europian të së enjtes vendimin për dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë.

“Në dhjetor 2012, për të vendosur për dhënien e statusit kandidat, Këshilli ftoi Komisionin për të raportuar sa më shpejt progresin e nevojshëm të arritur, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë hetimet proaktive dhe ndëshkimet për çështje të tilla”.

“Në këtë kuadër, Këshilli mirëpret miratimin nga Shqipëria të reformave kyçe të gjyqësorit, administratës publike, masat reformuese parlamentare me konsensus ndërpartiak si dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në qershor”.

“Këshilli mirëpret veprimet e mëtejshme të marra në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe vendosmërinë e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Në kuadër të progresit të Shqipërisë, Këshilli vendos t’i japë Shqipërisë statusin kandidat, subjekt për t’u konfirmuar nga Këshilli Europian”.

Ky është i vetmi paragraf, ende jo-përfundimtar për Shqipërinë, meqenëse vijojnë negociatat mes 28 shteteve anëtare, gjatë natës në nivel ambasadorësh, e të martën, deri në mbrëmje, në Këshillin e Ministrave për çështjet e përgjithshme.

Për çeljen e negociatave, drafti paraprak i Këshillit vlerëson nisjen e dialogut të nivelit të lartë mbi prioritetet kyçe, dhe se vendimi për këtë hap do të merret në varësi të plotësimit të tyre, si dhe të vlerësimit të Komisionit për Shqipërinë.

Ndryshe, Ministri i Jashtëm slloven, Karl Erjavec është shprehur optimist për një vendim pozitiv të martën për statusin kandidat.

“Unë mund të them se të gjithë ministrat e Jashtëm me të cilët kam biseduar e mbështesin kandidaturën e Shqipërisë”.

“Edhe kur flas me ta në mënyrë informale, ministrat vlerësojnë se Shqipëria është e përgatitur për të qenë kandidate në Bashkimin Europian, për shkak se zgjedhjet parlamentare ishin shumë të mira”, ka thënë ai për “Top Channel”.

“Ndaj besoj se nesër (sot) do të marrim vendim pozitiv për Shqipërinë, e po kështu dhe në samitin e kryeministrave europiane në fund të javës. Mendoj se ju keni shanse të mira. Vura re se dhe zonja Ashton e mbështet gjithashtu statusin kandidat për Shqipërinë.”

Po ashtu, Zëvendëskryeministrja kroate, Vesna Pusniç, e cila argumentoi se pavarësisht hezitimit nga disa shtete të rëndësishme anëtare, pjesa dërrmuese e BE’së e mbështet kandidaturën e Shqipërisë.

“E di që ka qëndrime të ndryshme. Ne e kemi marrë mbështetjen nga shumica dërrmuese e shteteve që t’i jepet që tani statusi i kandidatit, por është fakt se ka shtete të mëdha që janë skeptike ndaj këtij vendimi në këtë moment”.

“Ne e dimë nga përvoja jonë se nga statusi deri te nisja e negociatave e pastaj deri te anëtarësimi është një proces shumë i gjatë. Por për momentin mendojmë se do të ishte një vendim i duhur, duke patur parasysh një gjeneratë të re të politikës në Shqipëri, e cila ka qasjen e duhur për këtë punë”.

“Do të ishte e dobishme që t’i jepet statusi jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë rajonit”.