BE prezanton planin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë

Me kërkesë të Presidentit të Kosovës, Bashkimi Evropian ka dislokuar një Mision për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, që do të monitorojë zgjedhjet e parakohshme legjislative në Kosovë, më 11 qershor.

Lajme

30/05/2017 20:03

Pas zgjedhjeve komunale më 2013 dhe atyre parlamentare më 2014, kjo është hera e tretë që BE dislokon një mision të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, që pasqyron angazhimin e BE-së për mbështetjen e zgjedhjeve të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në kuadër të procesit të reformimit në Kosovë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE.

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, ka emëruar Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian, si kryevëzhgues.

“Zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor do të jenë një mundësi e re për qytetarët e Kosovës për të shprehur vullnetin e tyre politik. Nën udhëheqjen e kryevëzhguesit Peterle, kam besim se Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të japë një kontribut të rëndësishëm për forcimin e mëtejmë të institucioneve demokratike të Kosovës. Dislokimi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve konfirmon mbështetjen e BE-së për qeverisjen demokratike të Kosovës. Ne presim që të gjitha partitë politike, liderët dhe institucionet e Kosovës të sigurojnë që këto zgjedhje të rëndësishme, përfshirë fushatën zgjedhore, të organizohen në përputhje me standardet demokratike evropiane”, ka thënë Mogherini.

Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë ka nisur punën më 16 maj. Një ekip themelor prej shtatë analistëve të zgjedhjeve nga BE-ja tani ndodhet në Kosovë dhe do të qëndrojë në vend deri në përfundim të procesit zgjedhor, për të bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor.

Nga 26 maji, ekipit themelor i janë bashkuar edhe 16 vëzhgues, të cilët do të dislokohen në mbarë Kosovën. Ndërkaq, për javën e zgjedhjeve, nga 7 qershori, do të shtohen edhe 32 vëzhgues. Në ditën e zgjedhjeve, misioni do të përforcohet edhe nga një delegacion i Parlamentit Evropian dhe nga diplomatë nga shtetet anëtare të BE-së, të akredituar në Kosovë, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pak pas zgjedhjeve, misioni do të lëshojë një raport paraprak të të gjeturave, në një konferencë në Prishtinë.

Një raport final, përfshirë rekomandimet për proceset e ardhshme zgjedhore, do të prezantohet në një fazë tjetër, pas finalizimit të tërë procesit zgjedhor.