BE pret zgjedhje fer nga Kosova

Catherine Ashton fton Kryeministrat Thaçi e Dacic që të tregojnë vizion dhe kurajo për implementimin e Marrëveshjes së Prillit. Baronesha thotë se zgjedhjet janë një hap drejt konsolidimit të demokracisë në Kosovë dhe BE pret proces zgjedhor fer e të lirë.

Lajme

31/10/2013 12:33

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Catherine Ashton, ka kërkuar nga Kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Dacic që të tregojnë vizionin dhe kurajën që e kanë treguar deri tash për të siguruar zgjedhje fer dhe gjithëpërfshirëse më 3 nëntor.

Në një deklaratë, tri ditë para këtyre zgjedhjeve, Ashton është shprehur se këto zgjedhje janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë në Kosovë.

“Zgjedhjet e 3 nëntorit janë një moment kyç për të ardhmen e Kosovës dhe janë një element i rëndësishëm në implementimin e Marrëveshjes së Prillit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Ashton në këtë deklaratë.

“Shumë njerëz kanë punuar shumë për t’i përgatitur këto zgjedhje, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, dhe unë i përshëndes këto përpjekje. Falënderimet e mia të veçanta shkojnë për OSBE’në, përkushtimi i të cilës për rolin lehtësues ka qenë vendimtar për të na sjellë këtu ku jemi sot”.

“Në fillim të procesit të dialogut kanë qenë dy Kryeministra kurajozë. Ata kishin vizionin dhe kurajën për të arritur Marrëveshjen e Prillit dhe për ta implementuar atë. Unë u bëj thirrje atyre të tregojnë vizion dhe kurajo të njëjtë në mënyrë që të sigurojnë zgjedhje fer dhe gjithëpërfshirëse”.

“Bashkimi Europian do t’i përcjellë këto zgjedhje nga afër. Unë kërkoj nga të dy liderët t’i adresojnë sfidat e mbetura në ditën e zgjedhjeve”.

“Përveç natyrës së veçantë të zgjedhjeve si pjesë e implementimit të marrëveshjes së prillit, ky proces zgjedhor duhet të jetë gjithashtu një hap para në konsolidimin e demokracisë në Kosovë”.

“Më 3 nëntor – vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për MSA – BE pret proces zgjedhor të lirë dhe fer nga Kosova”.

“Porosia ime për popullin në mbarë Kosovën është: merrni pjesë në zgjedhje të dielën. Kjo vlen sidomos për komunitetin e serbëve të Kosovës. Unë i kuptoj shqetësimet, sidomos në Veri, por pjesëmarrja është mënyra më e mirë për t’u siguruar se zëri juaj do të dëgjohet” , ka thënë Ashton.