BE: Polonia rrezikon konsekuenca për përkeqësim të demokracisë

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka vetëm autoritet të kufizuar për t’i ndalur nacionalistët në pushtet, të cilët po e shkatërrojnë sundimin e ligjit në Poloni, por ata rrezikohen me konsekuenca, përfshirë shkurtime të ashpra në fondet e Bashkimit Evropian, që e ndihmojnë zhvillimin e këtij shteti ish-komunist, shkruan në fillim të një artikulli, agjencia Reuters.

Bota

22/07/2017 09:34

Në qeveri prej fundit të vitit 2015, Partia për Ligj dhe Drejtësi, që është ekstremisht konservatore dhe euroskeptike, tash me shpejtësi po e kalon në parlament një legjislacion me të cilin qeverisë i jepet kontroll më direkt ndaj Gjykatës Supreme të Polonisë.

Ky është legjislacioni më i ri për të cilin kritikët thonë se po e shkatërron pavarësinë gjyqësore.

Përkundër shumë thirrjeve për të mos e bërë këtë, Dhoma e Ulët e Parlamentit e ka kaluar këtë legjislacion këtë javë.

I irrituar se si Partia për Ligj dhe Drejtësi, që po ashtu, i ka marrë nën kontroll mediat publike dhe gjykatat e tjera, duke i shkatërruar standardet demokratike në këtë vend me 38 milionë njerëz, Komisioni Evropian ka shprehur përkushtim për të lëvizur me procedurën e paprecendente të paraparë me Artikullin 7.

Kjo do të thotë se qeveritë e vendeve të BE-së formalisht do të deklarojnë se ato konsiderojnë se sundimi i ligjit në Poloni është nën kërcënim, tri dekada pasi polakët e përmbysën regjimin komunist të imponuar nga Moska dhe e vendosën vendin e tyre në rrugën për pranim në BE, që u realizua në vitin 2004.

Por, derisa me një autoritet simbolik, Artikulli 7 do të kërkojë unanimitet të të gjitha vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për ta ndëshkuar Poloninë. Megjithatë, edhe këtu mund të ketë pengesë, pasialeati me orientim nacionalist dhe euroskeptik, Hungaria, ka premtuar ta bllokoj çfarëdo aksioni kundër Polonisë, shkruan agjencia Reuters.

Lideri i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Jaroslaw Kaczynski, e ka parasysh se Polonia me siguri do t’i shmanget dënimit më të madhpotencial me pezullimin e së drejtës së votës në BE.

“Për këto sanksione që të bëhen fuqiplotë, kërkohet shumica 100%, pa e llogaritur shtetin që është subjekt i kësaj procedure”, tha Kaczynski në televizionin shtetëror dhe shtoi se “jam i bindur se kjo nuk do të ketë sukses”.

Partia në pushtet – këmbëngulëse

Brukseli i ka lansuar disa raste juridike kundër Varshavës për shkak të shkatërrimit të sistemit demokratik të kontrolleve dhe balanceve dhe këto raste eventualisht mund të çojnë në gjobitje të rënda për Poloninë.

Megjithatë, Partia për Ligj dhe Drejtësi duket se është këmbëngulëse dhe nuk ka ofruar koncesione, duke thënë se ka mbështetje të gjërë popullore për ta reformuar Poloninë.

Qeveria në Varshavë, po ashtu, i ka hedhur poshtë kritikat e Brukselit,të opozitës liberale të qendrës, pastaj të mbrojtësve të demokracisë dhe të shumë qeverive perëndimore, duke i vlerësuar si përzierje e papranueshme në çështjet e brendshme të Polonisë, shkruan Reuters.​

A ka BE-ja mjete për detyrim?

Duke e shqyrtuar rastin e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, diplomatët në Bruksel pranojnë se Bashkimi Evropian nuk ka mjete të forta, që ta detyroj një shtet anëtar të bëjë diçka, nëse ai shtet vendos ta injoroj atë që supozohet se janë vlera themelore mbi të cilat është krijuar ky bllok.

“Situata në Poloni po përkeqësohet me të shpejtë, prandaj ekziston ndjenjë e fuqishme se ne duhet të veprojmë, ne po lëvizim kah faza e parë e Artikullit 7. Por, përfundimisht, a mund ne t’i detyrojmë ata? Natyrisht se jo”, tha një diplomat i lartë.

“Kjo nuk është ajo për të cilën është krijuar Bashkimi Evropian; mjetet tona janë të kufizuara. Nëse disponimi publik atje nuk ka sukses, atëherë ne mund të bëjmë shumë pak”, tha ky diplomat dhe ka shtuar se “megjithatë, ne duhet të veprojmë, kjo ka të bëjë me fytyrën e BE-së”.

Mijëra polakë kanë protestuar për çdo ditë në kryeqytetin Varshavë dhe në qytetet e tjera, duke kërkuar që presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i cili po ashtu ka ardhur nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, ta përdorë veton e tij për ta bllokuar legjislacionin për sistemin gjyqësor.

Konsuekuencat

Aktualisht, rivali më i madh i kryeministrit polak, Jaroslaw Kaczynski, dhe ish-kryeministër i Polonisë, Donald Tusk, është president i Bashkimit Evropian dhe i kryeson takimet e liderëve të BE-së.

Zoti Tusk i ka bërë thirrje presidentit Duda për ta parandaluar Legjislacionin për Gjykatën Supreme që të bëhet fuqiplotë, duke thënë se ai është i dëmshëm, rrezikon margjinalizimin e Polonisë dhe shkatërrimin e reputacionit të saj. Duda ka refuzuar të takohet me Tuskun për këtë çështje.

Dilema e BE-së se si të veprohet në Poloni, është e komplikuar nga fakti se partia në pushtet po e përdorë kritikën nga jashtë për ta rritur ndjenjën euroskeptike në Poloni dhe për të fituar pikë në mesin e votuesve nacionalistë si mbrojtës të sovranitetit të Polonisë.

Disa politikanë të Bashkimit Evropian janë të shqetësuar se duke i bërë presion Varshavës, mund të ushqehet një valë e fuqishme kundër BE-së, e ngjashme me atë që kulmoi vitin e kaluar në Britani, me votim në referendum për largim nga BE-ja.

Megjithatë, lidhur me këto zhvillime në Poloni do të ketë konsekuenca. Ato nuk do të jenë të menjëhershme, por do të jenë të dhembshme për Varshavën. Tashmë Varshava është gjithnjë e më tepër e izoluar në Bashkimin Evropian, për shkak të përleshjeve me Brukselin për migrim dhe për prerjen e drunjëve në male për nevoja komerciale.

Derisa shtetet anëtare janë të përfshira në bisedime për buxhetin e ardhshëm të përbashkët, që mund të zvogëlohet për shkak të largimit të Britanisë, që ishte njëra nga vendet kryesore kontribuese, shtetet si Italia dhe Franca, kanë sugjeruar lidhjen e ndihmave të BE-së me respektimin e vlerave kryesore të Bashkimit Evropian.

“Atmosfera lidhur me Poloninë…ka bërë që këto akte juridike për të cilat po punohet tash, do të kenë ndikim absolut negativ në bisedimet e ardhme për buxhet”, tha Elzbieta Bienkowska, anëtare e Komisionit Evropian nga Polonia, e cila është aleate e zotit Tusk dhe kritike e Partisë për Ligj dhe Drejtësi në Poloni, shkruan agjencia Reuters./REL