BE po përgatit sanksione për Maqedoninë, Ivanov nuk ndryshon qëndrim

Gjorge Ivanov duhet të heq dorë nga bllokada dhe të formojë Qeverinë maqedonase në pajtim me Kushtetutën, kanë thënë burime të BE-së për Deutsche Welle.

Lajme

22/03/2017 16:51

Sa më shpejtë aq më mirë, theksoi Brukseli duke shtuar se po merret me përgatitjen e sanksioneve, transmeton lajmi.net.

“Parlamenti duhet sa më shpejt të mblidhet dhe të zgjedh kryetarin e Kuvendit e me pas të formoj qeverinë”.

Ky mesazh është dërguar nga zyrtari i Bashkimit Evropian, një ditë pas vizitës në Shkup.

Media në fjalë thotë se në qoftë se Ivanov vazhdon të kundërshtoj duhet të pyetet shumica e parlamentit për të marrë një hap vendimtar.

Qëndrimi i Brukselit është i tillë, pasi sipas tyre nuk ka asgjë më shumë për të pritur dhe një gjë e tillë rrezikon të ngriten tensione të mëtejshme në vend.

“Kjo bllokad mund të jetë edhe më e rrezikshme dhe mund të çojë në një destabilizim të mëtejshëm. Rreziku është më i madh se kurrë”.

Për përfaqësuesit e BE-së nuk ka asnjë dyshim se Gruevski ishte pas organizimit të protestave dhe pse këmbënguli se nuk ka të bëjë asgjë me shpërthimin e pakënaqësisë në Maqedoni.

Në takimin me Komisionerin Evropian, Johannes Hahn dhe tre anëtarëve të Parlamentit Evropian, Gruevski është paraqitur si viktimë duke pretenduar se nuk ka kontroll për asgjë.

Atij nuk i konvenon ndërhyrja e Bashkimit Evropian pasi qëllim ka qëndrimin në pushtet.

“Qëllimi i vetëm i Gruevskit është të mbetet në pushtet, kjo është e qartë. Ai nuk ishte serioz dhe ka hedhur poshtë secili prej propozimeve tona”, ka thënë ky burim.

Zyrtarët e BE-së më së shumti i ka tronditur refuzimi i presidentin Gjorge Ivanov i cili nuk pranoi të takohet me ta.

Në Bruksel është duke u shqyrtuar mundësia e vendosjes së sanksioneve të kufizuara mbi individ të caktuar në Maqedoni. Këto sanksione do të përfshijnë ngrirjen e llogarive bankare dhe ndalimin e udhëtimit, mirëpo këto opsione janë ende në fazën e konsultimeve dhe do të shkojnë përmes Komisionit Evropian./Lajmi.net/