BE paralajmëron Facebookun për sanksione

Anëtarja e Komisionit Evropian (BE) përgjegjëse për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore, Vera Jourova, ka paralajmëruar se rrjeti social Facebook mund të përballet me sanksione në rast se nuk i përmbahet rregullave të BE-së për konsumatorin

Auto & Tek

21/09/2018 07:34

Në një konferencë për media në komisionin e BE-së në Bruksel, Jourova ka njoftuar se rrjeti social Facebook duhet të rregullojë kushtet e përdorimit në përputhje me kushtet e BE-së për konsumatorin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me bisedimet për këtë çështje që vazhdojnë mes rrjetit social Facebook dhe BE-së, ajo theksoi se kanë ardhur në “pikën e fundit të durimit”.

“U bëj thirrje përfaqësuesve të konsumatorit për sanksione në mënyrë të shpejtë kundrejt kompanisë nëse ajo deri në fund të vitit nuk zbaton plotësisht ndryshimet e kërkuara. Këto bisedime vazhdojnë që prej një kohe të gjatë. Tani në vend të fjalëve është koha për veprim”, tha Jourova.

Facebook në muajin prill bëri ndryshime në kushtet e përdorimit. Komisioni i BE-së pretendon se disa nene në kushtet e përdorimit përmbajnë prezantime deformuese rreth shërbimeve të Facebook.