BE jep 2.3 milionë euro për Kodin Civil, pritet të jetë gati vitin tjetër

Ministria e Drejtësisë ka organizuara ceremoninë “Drejt një Kodi Civil Modern në Republikën e Kosovës”, pjesë e Projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil-Faza 2″.

Lajme

12/10/2017 11:38

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostolova, tha se projekti do të ketë kosto 2.3 milionë euro.

Ajo më tej shtoi se BE vazhdon të mbështesë Ministrinë e Drejtësisë për të finalizuar Kodin Civil gjithëpërfshirës dhe të avancuar për Kosovën.

Apostolova më tej tha se drafti i parë është përgatitur nga projekti i mëparshëm i financuar nga BE-ja.

“Konsultimi publik është shumë i rëndësishëm andaj ne inkurajomë të gjithë që ti japin trajtë të ardhmes së Kosovës. Projekti do të sjell transparencë të plotë sepse kjo është e vetmja mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithëve. Kjo u ndihmon të gjithëve që të gjejnë gjuhë në bazë të gjuhës ligjore. Kjo nënkupton që ligji të shkruhet me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Kjo u mundëson bizneseve të krijojnë vende pune dhe Kosovën do të përafroj sa më me BE-në”, ka thënë Apostolova.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Kodi Civili do të jetë gati vitin tjetër. Ai ka shtuar se hartimi i Kodit Civil është prioritet duke e konsideruar atë si dokumentin më të rëndësishëm pas Kushtetutës.

“Në kuadër të angazhimeve të mija hartimi i Kodit Civil është prioritet dhe është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës së Kosovës. MD është e vetëdijshme që hartimi i këtij kodi është mjaft ambicioz. Kontributi i shoqërisë civile na mundëson që hartimi i kodit të jetë më i lehtë”, ka thënë Tahiri.

Udhëheqësi i projektit, Alfons Lentze, u shpreh se ky projekt është i rëndësishëm dhe pas përfundimit të punës ai do të jetë në Kuvendin e Kosovës.

Haxhi Gashi, pjesë e grupit punues për hartimin e kodit, njëherësh edhe dekan i Fakultetit Juridik në tha se Kodi Civil rregullon jetën e qytetarëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Kodi Civil në vetë përmban një grumbull ligjesh. Për kodin është folur moti kohë, atëherë nuk ka qenë e mundur të kemi një Kod Civil tash mundi sepse kemi ligje të zbatuese. Duhet të kemi parasysh edhe modernizimin sepse Kosovën duhet të bëjmë të gatshme për treg ndërkombëtarë. Ne jemi në përfundim të fazës së parë. Ato janë të publikuara në faqen e ministrisë”, ka thënë Gashi.