BE-ja propozon ndërmjetësim për mosmarrëveshjen territoriale Kroaci-Slloveni

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker propozoi sot një ndërmjetësim mes Sllovenisë dhe Kroacisë, që ka hedhur poshtë një vendim të Gjykatës së Arbitrazhit duke i dhënë Lubjanës sovranitetin mbi gjirin e vogël të Piranit, në detin Adriatik.

Bota

08/01/2018 23:52

“Ne dëshirojmë të provojmë të ndërmjetësojmë mes dy pozicioneve, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit”, theksoi Juncker për shtypin, pa dhënë shumë detaje për ndërmjetësimin e parashikuar.

Në muajin qershor, Gjykata e përhershme e Arbitrazhit i dha më shumë se dy të tretën e gjirit të Piranit Sllovenisë, me qëllimin për t’i dhënë fund një pakënaqësie që datonte që prej shpërbërjes së Jugosllavisë 25 vjet më parë.

Gjykata e Arbitrazhit vendosi 30 dhjetorin datën e hyrjes në fuqi të vendimit.

Por, Kroacia që pretendon gjysmën e këtij territori detar, ka refuzuar arbitrazhin dhe më 30 dhjetor në mëngjes, tre anije kroate peshkimi, shoqëruar nga anije patrullimi të policisë kroate, kanë hyrë në ujërat dhënë Sllovenisë nga Gjykata.

Juncker përfitoi nga një vizitë në Bruksel e presidentit slloven, Borut Pahor për të dënuar dy fqinjët, përcjell Atsh.

“Mosmarrëveshjet mes këtyre dy vendeve janë shumë të vogla, shumë të vogla!”, theksoi Juncker përkrah Pahor.

“Nuk ka luftë mes Sllovenisë dhe Kroacisë që, mes shteteve anëtare të ashtuquajtura të reja (…) shfaqen përgjithësisht në mënyrë shembullore”, shtoi ai duke përshëndetur marrëdhëniet e tyre miqësore.