BE-ja ose të ndryshojë legjislacionin ose Britania e Madhe nuk do të jetë pjesë e saj

Kryeministri britanik, David Cameron u ka bërë thirrje liderëve të shteteve anëtare të Bashkimit evropian që ta përkrahin planin e tij të migracionit, përndryshe siç ka thënë ai, Britania e Madhe ka shumë gjasa të larohet nga ky union, me referendum popullor, i paraparë të mbahet më 2017.

Bota

28/11/2014 15:48

Cameron tha se nuk po përpiqet të “sundojë” Bashkimin Evropian, por kërkon që të merren masa dhe të mbështetet politika e tij ndaj emigrantëve që nga shtetet e unionit vendosen në Britaninë e Madhe.

Sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian për liri të lëvizjes, shtetasit e vendve anëtare kanë të drejtë të punojnë kudo në këtë bllok. Por gjatë viteve të fundit qindra mijëra shtetas të 28 shteteve anëtare të bllokut ia kanë mësyrë Britanisë së Madhe për punë, pasi ky vend e ka rritjen më të shpejtë ekonomike në BE.    

Kjo ka bërë që të ketë reagime të mëdha të brendshme në Britaninë e Madhe, ndërsa tani edhe zyrtarisht kërkohet nga autoritetet britanike që të mbështeten planet e tyre për frenimin e imigrantëve.

Më e zëshme kundër këtyre masave ka qenë Angela Merkel, kancelaria e Gjermanisë, e cila javë më parë sipas Der Spiegel, është dëgjuar të ketë thënë se “më me dëshirë do ta shihte Britaninë jashtë Bashkimit Evropian, se sa ky union të mbështesë masat e propozuara nga Londra”.

Por kryeministri britanik në një fjalim që ka mbajtur të premten, e ka bërë të qartë se nuk ka kthim prapa, dhe se udhëheqësit e vendeve të BE-së duhet ta mbështesin nëse e duan Britaninë brenda këtij unioni.  

Propozimet kryesore janë: Kthimi i emigrantëve të vendeve të BE-së nëse nuk gjejnë punë brenda gjashtë muajve; ndalimi i kredive; ndalimi i ndihmave, për ushqim, për fëmijë dhe strehim; kufizimi i të drejtës së emigrantëve për të sjellë anëtarët e familjes në Britani të Madhe; përshpejtimi i depërtimit të kriminelëve të dënuar dhe masa të tjera që do të frenojnë emigrantët të mësyjnë Britaninë e Madhe

Cameron tha se beson se paketa me propozimet e tij do të imponojnë ndryshimet në traktatet qeverisëse në Bashkimin Evropian, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Kryeministri britanik tha se Britania ka përfituar nga migrimi dhe se është krenar me diversitetin racor, etnik e fetar në vendin e tij, por rritja e pakontrolluar e emigracionit gjatë viteve të fundit, tha se duhet ndalur.

“Shqetësimet e britanikëve për nivelin e emigracionit nga vendet e Bashkimit Evropian nuk është gjë për tu çuditur apo gjë e paarsyeshme, sepse është e ndërlidhur direkt me mirëqenien e tyre. Meritojmë të dëgjohet zëri ynë, dhe ne duhet të dëgjohet! Sepse, këtu kemi të bëjmë me një çështje që ka rëndësi për popullin britanik dhe për të ardhmen tonë në Bashkimit Evropian. /lajmi.net/