BE-ja në kërkim të aleancave kundër Trumpit në Kinë dhe në Japoni

Drejtuesit e Bashkimit Europian do të mblidhen të hënën dhe të martën në Pekin dhe më pas në Tokio për riforcimin e marrëdhënieve tregtare me këto dy vende me qëllimin për t’i bërë “bllok” presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka ndërmarrë një luftë tregtare botërore.

Bota

15/07/2018 23:49

Turneu aziatik i përfaqësuesve të Bashkimit Europian zhvillohet në kuadër të një përpjekjeje për gjetjen e aleancave nga BE, tregu më i madh unik në botë, përballë proteksionizmit të administratës Trump, slogani i të cilit është “Amerika e Para”.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do të marrin pjesë nesër në Pekin në samitin e 20-të BE-Kinë dhe do të takohen me presidentin Xi Jinping, ditën kur presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Helsinki.

Samiti do të jetë rasti për drejtuesit e Kinës dhe Bashkimit Europian për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët në mbështetje të një modernizimi të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker do të shkojnë më pas në Tokio për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Japoninë, përcjell Atsh.

Takimi ishte parashikuar fillimisht javën e kaluar në Bruksel, por kryeministri japonez, Shinzo Abe u detyrua të anulojë udhëtimin për shkak të përmbytjeve në Japoni.