BE-ja mandaton EULEX-in për gjykime jashtë Kosovës

Bashkimi Evropian ka mandatuar misionin e vet në Kosovë që të merret edhe me rastet që mund të procedohen për gjykim jashtë territorit të vendit.

Lajme

29/09/2014 20:13

Në takimin ministror, shefat e diplomacisë evropiane morën vendim që EULEX t’i jepet mandat për të mbështetur rivendosjen e proceseve gjyqësore që do të rezultojnë nga hetimet e Task Forcës speciale të cilën e udhëhoqi prokurori amerikan Clint Williamson, njofton RTK.

Rrjedhimisht, me vendimin e sotëm hapen rrugët edhe për krijimin e Tribunalit, ku sipas paralajmërimeve do zhvillohen gjykimet në lidhje me krimet që janë kryer sipas pretendimeve të senatorit zviceran Dick Marty.

Për themelimin e kësaj gjykate tash pritet formimi i institucioneve të Kosovës, të cilat duhet të sigurojnë mbështetjen e Parlamentit për këtë Tribunal.

Pos mandatit që të veprojë jashtë Kosovës, EULEX-i ka marrë edhe mbështetje financiare, që do të vlejë deri në verën e vitit të ardhshëm.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë ndarë 55.82 milionë euro për të mbuluar të gjitha aktivitetet e EULEX-it për periudhën deri më 14 qershor të vitit që vjen.

Zyrtarët evropianë tërheqin vërejtjen se në të ardhmen ky mision duhet të ketë sa më shumë rol mbikëqyrës dhe këshillues, ndërsa kompetencat do të duhej të kalonin tek autoritetet e Kosovës.

Sido që të jetë, EULEX-i do të vazhdojë të ketë fuqi ekzekutive në rastet e disa krimeve të nivelit të lartë.

(rtk)