“BE-ja ka frikë nga tërheqja e Amerikës nga Ballkani dhe rritjes së ndikimit rus”

Diplomatë dhe gazetarë serbë kanë reaguar ndaj deklaratave të eurodeputetit gjerman David McAllister i cili dje deklaroi se ndikimi rus në Ballkan po rritet.

Bota

21/03/2017 23:58

Sipas diplomatit serb, Zoran Milivojeviq këto reagime vijnë si pasojë e premtimeve të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit të cilat nuk po realizohen, gjë që sipas tij edhe mund të sjellë rritje të ndikimit rus, transmeton lajmi.net

“Rusia nuk do ta destablizojë Serbinë, por është duke u përpjekur për ta rritur ndikimin e saj, ndryshe nga BE-ja e cila ka një pozicion që vetëm premton dhe nuk kalon në veprime. BE-ja nuk vepron kur është fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Milivojeviq.

Sipas tij intervista e McAllsiter interpretohet në dy mënyra: Rusia e fajëson BE-në për pasivitetin e saj që e ka në Ballkan, ose BE-ja sinqerisht është e tronditur nga ndikimi i Moskës.

Kurse gazetari serb, Nenad Radiçeviq ka thënë se Bashkimi Evropian po frikësohet nga tërheqja e SHBA-së nga Ballkani, e cila sipas tij do të thoshte rritje të ndikimit rus.

“Mesazhi i McAllister është një paralajmërim, jo se BE-ja e ka harruar Ballkanin, por nga frika e tërheqjes eventuale të SHBA-së në Ballkan, e cila do të thotë rritje të ndikimir rus”, thotë korrespodenti i “Politikas” në Berlin.

Nga shteti i Serbisë askush nuk ka komentuar deri më tani në lidhje me deklaratat e eurodeputetit gjerman, David McAllister. /Lajmi.net/