BE-ja jep 180 milionë euro për refugjatët nga Siria

Komisioni Evropian ka miratuar të enjten vendimin për dhënien e 180 milionë eurove për të ndihmuar Libanin dhe Jordaninë, që të përballen me numrin e madh të refugjatëve nga Siria.

Bota

04/12/2014 17:47

Me këtë pako ndihmëse do të ndihmohet Libani, i cili aktualisht ka 1.1 milion refugjatë nga Siria, si dhe Jordania, e cila ka afro 630 mijë refugjatë, raporton REL.

Nga shuma e tërësishme, disa mjete pritet të shkojnë edhe në Siri, pasi brenda këtij shteti janë të zhvendosur 11 milionë refugjatë.

Teksa konflikti në Siri është duke vazhduar dhe numri i të vdekurve ka kaluar shifrën prej 200 mijë personash, ka pak mundësi që brenda një kohe të shkurtër të jenë në gjendje të kthehen rreth 3 milionë sirianë sa janë larguar në shtetet fqinje.

Pakoja ndihmëse adreson në veçanti çështjen e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, ndërsa ndihmon edhe shtetet që si pranuese të këtyre refugjatëve të realizojnë aktivitete për zhvillimin ekonomik.

Njoftimi nga Komisioni Evropian është bërë të enjten, një ditë pasi që Programi Botëror i Ushqimit, në mungesë të mjeteve financiare, i ka ndalur ndihmat për 1.7 milion refugjatë sirianë.

BE-ja është donatori më i madh i ndihmave humanitare në Siri dhe deri tash ka dhënë rreth 1.5 miliard dollarë, derisa shtetet anëtare veç e veç kanë dhënë edhe 1.4 miliard të tjera.

“Ne jemi të gatshëm dhe dëshirojmë të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme për popullin e Sirisë dhe për vendet fqinje, pritëse të refugjatëve sirianë”, tha të enjten shefja për punë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini. (REL)