BE ia përsërit Kosovës e Serbisë: Fokusi është tek ju, zgjidhini çështjet e hapura

Bashkimi Evropian pret që votimi i ekipit negociator nga institucionet e Kosovës të ndihmojë në procesin e dialogut.

Lajme

18/12/2018 23:55

Ky është konstatimi që sot e bëri Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherini, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, Prishtina dhe Beogradi duhet të pajtohen sa i përket agjendës së dialogut, shpejtësisë dhe të arriturat e këtij procesi.

Megjithatë, votimi i ekipit negociator sipas saj mund të kontribuojë në negociatat mes dy vendeve.

“Ne inkurajojmë të gjithë akterët politik dhe civil në Kosovë që të punojnë në mënyrë konstruktive për një platformë lidhur me dialogun e nivelit të lartë mes dy vendeve”, ka thënë ajo.

Kocijançiq tha po ashtu se fokusi i Bashkimit Evropian është në arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Qëllimi i këtij dialogu është arritja e një marrëveshjeje legalisht të obligueshme e cila do të siguronte normalizimin e raporteve mes dy vendeve, si dhe do të arrinte që të zgjidhë çështjet e hapura, dhe njëkohësisht e cila do të ishte në pajtim me ligjet ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Zëdhënësja e BE-së në fund u bëri thirrje të dy vendeve që të përmbushin obligimet e tyre të dala nga marrëveshjet e Brukselit.

Kujtojmë, se gjatë këtyre ditëve, Bashkimi Evropian ka intensifikuar presionin e vet ndaj Qeverisë së Kosovës për vendimin ndaj taksës 100 për qind.

Ndërkaq, nga Qeveria Haradinaj janë shprehur të bindur se vendimi në fjalë nuk hiqet pa ndryshimin e sjelljes nga Serbia në politikën e jashtme. /Lajmi.net/