BE i kërkon Shqipërisë udhëheqjen e procesit të Ligjit të Arsimit të Lartë në Kosovë

Institucionet prestigjioze të Bashkimit Europian i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, që kjo e fundit të udhëheqë procesin e ligjbërjes së Ligjit të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Lajme

15/02/2018 15:51

Kjo deklaratë është bërë e ditur nga vetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë replikave me opozitën nga salla e Kuvendit, gjatë së cilës ajo ka diskutuar jo vetëm çështjet e teksteve shkollore, por ka ndarë lajmin se Kosova, sipas saj, do të përfshihet në të njëjtën qasje në arsimin e lartë sikurse në Shqipëri, raporton ATSH.

“Kosova i ka kthyer sytë nga Shqipëria dhe shumë shpejt do të mësoni që marrin vendime për të pasur tekstet e Shqipërisë sa u takon lendëve ekzakte. Po ju bëj me dije, po ashtu, se institucionet prestigjioze të Bashkimit Europian që kanë monitoruar ligjbërjen e Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit marrjen e pozicionit lider për të mësuar një proces të tillë edhe në Kosovë. Pra, edhe Kosova të përfshihet në një qasje të re, sa i përket shërbimit në Arsimit e Lartë”, ka sqaruar Nikolla.

Lidhur me takimin e djeshëm me senatin e Universitetit të Tiranës, Ministrja ka preferuar të mos bëjë komente ndërsa ka deklaruar se “Edhe Rektori edhe profesorët lëvduan faktin se ligji ndan në mënyrë të qartë dy pozicione, atë të drejtimit akademik me atë manaxherial”.

Nikolla u shpreh se profesorët e UT-së janë njerëzit më të respektuar dhe nderuar ndaj nuk duhen etiketuar si të paguximshëm apo të frikësuar për t’i thënë të vërtetat e tyre sikurse opozita po bën sipas ministres.

keni respekt për profesoriatin, dëgjojini dhe mos trumbetoni të kundërtën”, iu drejtua ajo opozitës.