BE i kërkon Serbisë t’i vendosë sanksione Rusisë

E përditshmja serbe, Vecernje Novosti shkruan se lidershipi serb po përballet me presione nga perëndimoret për t’i vënë sanksione Rusisë. Sipas burimeve të kësaj gazete, thuhet se Dacic dhe Vucic do të përballen me këtë kërkesë gjatë bisedimeve në Bruksel.

Bota

28/03/2014 12:41

Shtete perëndimore kanë kërkuar nga Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Aleksandar Vucic, “që t’i bashkohet BE-së në vendimin për vënien e sanksioneve ndaj Rusisë për çështjen e Krimesë”, raporton e përditshmja serbe, Vecernje Novosti.

“Saktësisht, nga Qeveria e Serbisë është kërkuar që t’i bashkohet qëndrimit të Brukselit dhe Washingtonit në vënien e sanksioneve ndaj Kremlinit, gjithashtu edhe në hapat e më tejmë që BE dhe SHBA do t’i ndërmarrin kundër autoriteteve ruse dhe Presidentit, Vladimir Putin”.

Burime të kësaj gazete thonë se “kulmi i këtij presioni diplomatik” do të bëhet më 31 mars, kur Aleksandar Vucic-it dhe Kryeministrit aktual, Ivica Dacic do të marrin pjesë në raundin e radhës të dialogut për Kosovën.

Në këtë të përditshme serbe raportohet se “diplomatë perëndimor nuk dëshirojnë të kenë edhe një Luftë të Ftohtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, dhe Serbia të gjendet në një pozicion ku ekonomia e saj të përfitonte nga të gjitha avantazhet që mund t’i vijnë nga lidhjet speciale të saj me Rusinë”.

Ministri i Jashtëm në ikje i Serbisë, Ivan Mrkic, në një deklaratë për këtë gazetë ka thënë se Serbia nuk do të marrë hapa kundër Rusisë.

“Anëtarësimi në BE është njëri nga prioritetet e politikës së jashtë serbe dhe Serbia do t’i plotësojë të gjitha obligimet e nevojshme për këtë. Kjo nuk është një zgjedhje që duhet të detyrojë Serbinë të zgjedh në mes të Lindje dhe Perëndimit”, ka thënë Mrkic.