BE i jep Greqisë 209 milionë euro për emigrantët

Komisioni Europian i ka dhënë Greqisë një ndihmë emergjente prej 209 mln euro për refugjatët, të cilët ndodhen në tokën greke. Programin e ndihmës e kanë komunikuar në Athinë komisionerët përkatës të BE, Christos Stilianidis dhe Dhimitris Avramopoulos.

Bota

27/07/2017 23:26

“Për refugjatët dhe emigrantët, kjo është një mënyrë për t’u integruar më mirë në shoqërinë greke. Siç e tha një prej kryebashkiakëve, është tjetër gjë të jetosh në kamp dhe tjetër gjë të jetosh me dinjitet”, tha Christos Stilianidhis, Komisioneri i BE për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizës.

Qëllimi kryesor i kësaj ndihme është që të rritet deri në 30.000 numri i refugjatëve që brenda këtij viti do të zënë shtëpi me qira në Greqinë Kontinentale dhe në ishuj, ndaj dhe në këtë program marrin pjesë dhe bashkitë e qyteteve të Athinës, Selanikut, Larisës, Kardhitsës dhe Kretës.

Gjithashtu, një shumë prej 57.6 mln euro do t’u jepet refugjatëve në karta debiti mujore për të mbuluar nevojat emergjente në ushqime, barna dhe lëvizjen me mjetet e shërbimit urban.

Në Greqi ndodhen rreth 62.000 refugjatë dhe emigrantë, kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Iraku, që jetojnë në kushte shumë të vështira në kampet pritëse të vendit prej marsit të 2016, kur shtetet ballkanike mbyllën kufijtë e tyre duke ndërprerë fluksin drejt Europës Qendrore.

“Europa është duke u testuar sot dhe në fund të fundit nuk është kriza financiare që rrezikon themelet e Europës, ashtu siç kanë besuar shumica, por është menaxhimi i krizës së refugjatëve”, deklaron Dhimitris Avramopoulos, komisioneri i BE-së për Emigracionin.

Financimi i ri do të ndryshojë rrenjësisht mënyrën e dhënies së ndihmës dhe do të përmirësojë jetën e këtyre njerëzve duke i bërë ata që të ikin nga kampet dhe të integrohen në mënyrë të natyrshme, kanë theksuar komisionerët europianë, ndërsa ministri grek i Emigracionit ka deklaruar se për herë të parë integrohet një numër kaq i madh refugjatesh në një vend që po kalon një krizë ekonomike.