BE gjobit Facebook-un me 110 milionë euro

Komisioni Evropian gjobiti rrjetin social Facebook me 110 milionë euro për dhënie të informacioneve të pasakta rreth blerjes së aplikacionit WhatsApp.

Bota

18/05/2017 11:18

“Vendimi i sotëm dërgon sinjal të qartë te kompanitë, se ato duhet të veprojnë në përputhje me të gjitha rregullat e BE-së, përfshirë obligimin për të dhënë informacione të sakta”, tha komisionarja e BE-së për çështje të konkurrencës, Margrethe Vestager.

Në përgjigje, Facebook tha se ka bashkëpunuar me Komisionin dhe se gabimet nuk kanë qenë të qëllimshme.

Sipas Komisionit Evropian, Facebook, kur e ka njoftuar Komisionin për blerjen e WhatsApp-it në vitin 2014, ka thënë se “nuk do të jetë në gjendje të krijojë një përputhshmëri të besueshme automatike midis llogarive të përdoruesve në Facebook dhe llogarive të përdoruesve në WhatsApp”.

Megjithatë, WhatsApp, më 2016, ofroi mundësinë që përdoruesi të lidhë numrin e telefonit me profilin në Facebook, tha Komisioni Evropian.