BE dhe Kosova: Çka të bëhet? – Lajmi.net
BE dhe Kosova: Çka të bëhet?
Autori: Lajmi.net Op-EdOpinion 11:14, 25 October 2018
BE nuk di çka të bëjë me Kosovën. Shteti i Kosovës është fakt i kryer. Por si të akomodohet ky realitet, në një raport në mes të Kosovës dhe BE-së, këtë askush nuk e di në Bruksel.

Për Kosovën, për politikën e saj, edhe pse të thuash në të gjitha temat tjera politikanët dhe partitë vendore janë në gjendje të përplasen dhe të konfrontohen pa fillim, pa fund dhe pa kurfarë arsye, për qytetarët e këtij vendi  (gjithsesi), Bashkimi Evropian është prioritet Numër Një. Së bashku, poashtu, me anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, dhe me ruajtjen e marrëdhënieve shumë të mira me SHBA-në.

Evropa pra, BE-ja, janë vlera supreme politike, ekonomike dhe sociale për Kosovën.

Tjetër çështje është sa jemi bërë ne vet gati për t’iu bashkuar BE-së. Për këtë ka çka të flitet. Në përgjithësi, duket që ende jemi larg arritjes së këtyre vlerave.

Sidoqoftë, nuk ka kurfarë dyshimi që kosovarët, janë për vite të tëra, populli më pro-evropian, më pro-amerikan, më pro-NATO, në këto anë të Evropës. Është çëshje tjetër se a bën përshtypje fare ky fakt në Bruksel dhe në kryeqendrat tjera evropiane.

Më në fund, kur flitet për raportet e Kosovës dhe të qytetarëve të saj me BE-në, Aleancën Veri-Atlantike dhe me SHBA-në, duket që këndejpari, ora politike dhe e historisë është ndalë aty diku në vitin 1999, apo edhe në atë 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur. Ne, ende kemi ‘dioptrinë’ e shikimit të asaj kohe, dhe ne mendojmë, në masë të madhe që pakçka, apo edhe hiçgjë nuk ka ndryshuar kur bëhet fjalë për vlerat kryesore politike, ushtarake, ekonomike dhe sociale të Perëndimit. Ndërsa realiteti është krejt ndryshe. Këtë ne akoma nuk e kemi kuptuar. Madje, nuk ka shenja që ne do t’i përshtatemi apo do t’i adaptohemi këtij realiteti.

Për Bashkimin Evropian të sotëm, nëse këtu flasim fare hapur, Kosova me gjasë paraqet problemin e fundit me të cilin duhet marrë, përjashto këtu dialogun në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, dhe thirrjet e vazhdueshme për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Që prej vitit 2008, në Bruksel nuk ka unitet rreth Kosovës. Pesë shtetet anëtare të BE-së refuzuan, për shkaqe që nuk kishin të bënin aspak me Kosovën, apo edhe me vetë dialogun e Kosovës dhe Serbisë, ta pranojnë shtetin e Kosovës. Mungesa e këtij uniteti, mungesa e një politike të përbashkët të BE-së për Kosovën, siç është konstatuar shumë herë në të kaluarën, Kosovës i ka kushtuar më shumë, apo i ka bërë më shumë dëm, se sa politika dhe sjellja e Serbisë dhe Rusisë së bashku.

BE as sot e kësaj dite, nuk di çka të bëjë me Kosovën. Shteti i Kosovës është fakt që nuk diskutohet më. Ama si të akomodohet ky realitet, në një raport të mirëfilltë në mes të Brukselit dhe Prishtinës, apo, në mes të Kosovës dhe BE-së, këtë mbase askush nuk e di në kryeqytetin e Evropës. Thjeshtë, mendohet që me kalimin e kohës, gjërat do të vijnë në vete, Kosova dhe Serbia do ta bëjnë një Marrëveshje gjithpërfshirëse, e cila pastaj, do të jetë kodi i njohjes së Kosovës nga pesëshja refuzuese. Por, kush garanca për një epilog të tillë nuk është në gjendje të ofrojë në Bruksel.

Kosova për BE-në sot paraqet një kokëdhimbje që tejkalohet lehtë. Me aspirin politik.

Për më shumë, pikërisht në rastin e Kosovës, po ndodhë që BE, e cila ka mbetë pa fuqinë reale politike, pa atë ‘gravitetin tërheqës’ që ishte joshës për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, të tregojë që akoma i ka do muskuj, në një garë që realisht nuk ekziston fare.

Kështu ta zëmë, BE-ja ditëve të fundit, mbase pa kurfarë nevoje u përfshi në trajtimin e temës së transformimit të FSK-në në një mandat të ri  (sepse emri do të mbetet po ky që është), i cili do të mundëson lansimin e një procesi që mund të zgjatë edhe dhjetë vjet të plota, të krijimit të Armatës së Kosovës. Brukseli dëshiron që ne të kthehemi në Pikën Zero këtu, dhe sërish të provojmë  (nuk dihet edhe sa vjet të tjera), të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për ndryshimin e mandatit të FSK-së përmes amandamentimit të Kushtetutës.

Në anën tjetër, kjo Kosovë me më së shumi një milion udhëtarë eventual kah Zona e Schengenit, po del një problem tepër i madh për vendimmarrjen në BE, apo, për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Madje, duket që as vendimi se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza, nuk do të mirret sivjet.

Një BE e pafuqishme dhe një Kosovë e pafuqishme, vetëm sa do të shtojnë frustrimet e qytetarëve të Kosovës.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO