BE: Asociacioni, sipas ligjeve të Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit

Bashkimi Evropian po insiston që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet themeluar brenda kuadrit ligjor të Kosovës dhe në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015. Ata madje kërkojnë që Marrëveshja të zbatohet pa vonesa të mëtejshme.

Lajme

17/07/2018 08:40

Bashkimi Evropian (BE) po insiston që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në pajtim me Ligjet e Kosovës, si dhe në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës shprehet e vendosur që Asociacioni të mos themelohet sipas Marrëveshjes së Brukselit, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se Marrëveshja bie ndesh me disa nene të aktit më të lartë juridik në vend.

“Asociacioni do të formohet brenda kuadrit ligjor të Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit dhe elementeve kryesore të përgjithshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilat janë arritur ndërmjet palëve në gusht 2015”, kanë deklaruar për gazetën “Zëri” zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE).

BE-ja njëkohësisht është duke pritur që të gjitha marrëveshjet e arritura në mes palëve të zbatohen pa vonesa.