BDI kërkon pozitën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë

Negociatat për formimin e Qeverisë midis VMRO-DPMNE dhe BDI pritet të vazhdojnë sot, njoftuan nga selitë e dy partive, duke mos dhënë detaje se për cilat çështjet fillestare janë hapur këto negociata.

Lajme

06/05/2014 16:38

Në kampet e dyja partive po mbretëron një heshtje dhe se kjo gjendje është raportuar dhe përshkruar edhe nga mediat vendore, pasi që asnjëra parti nuk deklarohet se cila është agjenda e përcaktuar e negociatave për bashkëqeverisjen e mundshme.

Nga BDI kanë theksuar se para negociatave, kryesia partiake ka miratuar platformën politike që do të shpaloset në negociata, dhe se ajo kryesisht është pjesë e programit zgjedhor për zgjedhjet e 27 prillit.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se BDI do të kërkojë postin e kryetarit të Parlamentit, zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Parlament, ku do t`i mundësohet drejtimi i seancave në shqip edhe të kryetarit të Parlamentit, si dhe zgjerim i përdorimit të gjuhës shqipe gradualisht edhe në institucione dhe instanca të tjerë në vend.

BDI paralajmëron që të ndryshojë edhe disa ministri, duke qenë e gatshme që të heq dorë nga resori i evrointegrimeve dhe të marrë postin e zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, si dhe ministri të tjera të rëndësishme si Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, apo edhe njërën nga drejtoritë e rëndësishme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike ose Drejtorinë e Doganave.

Nga ana tjetër edhe PDSH nuk ka përjashtuar mundësinë që ajo të formojë koalicionin qeverisës me VMRO-DPMNE. Kjo parti gjatë javës së kaluar në disa raste nga lideri i saj Menduh Thaçi nuk kanë përjashtuar mundësinë që PDSH të formojë koalicionin e ardhshëm. Thaçi javën e kaluar deklaroi se ai është i gatshëm të mbështes qeverinë e re pavarësisht se partia e tij do të jetë pjesë e saj. /INA/