BDI dhe VMRO-DPMNE kanë dallime dhe vështirësi të shumta

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në fjalimin e tij me rastin e fundvitit, duke shpalosur të arriturat e subjektit që ai drejton, u shpreh se gjatë qeverisjes me partnerin e koalicionit ka edhe vështirësi.

Lajme

25/12/2014 18:29

“Ne nuk e caktojmë partnerin me kë do të punojmë, as pala e komunitetit tjetër nuk mund ta zgjedhë partnerin. Këtë partneritet e kushtëzon vullneti i lirë i shumicës së qytetarëve, vota e qytetarëve. Gjatë bashkëpunimit me këtë partner qeverisës ka dallime të shumta të qëndrimeve dhe vështirësi të shumta”, u shpreh Ahmeti në një intervistë për Alsat-M.

Ndërkohë sa i përket anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE kreu i integristëve u shpreh se integrimi i Ballkanit perëndimor në këtë institucion është i domosdoshëm, në të kundërtën ai u shpreh se ‘Ukraina nuk është larg’.

“Ballkani perëndimor duhet të hapërojë shpejt drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, sepse nuk është larg Ukraina, ku prej fillimit të krizës ka mbi 5000 viktima”, tha Ali Ahmeti, gjatë fjalimit të tij me rastin e fund-vitit.

Ahmeti ka komentuar edhe propozimin për stemën e re të Maqedonisë.

“Ne mendojmë që komuniteti shqiptar jo vetëm që duhet të jetë i përfillshëm por edhe i dakordueshëm sepse bëhet fjalë për simbol që na përfaqëson të gjithëve”.

Ahmeti gjithashtu foli edhe për mosmarrëveshjet brenda BDI-së duke theksuar se bëhet fjalë për vlerë demokratike, e cila duhet ruajtur me shumë kujdes për të mos kaluar në anarki.