BB: Përmirësohet lehtësia e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri

Lehtësia e të bërit biznes në Shqipëri dhe Kosovë është përmirësuar. Ky është rezultat i raportit të sapo publikuar nga Banka Botërore, e cila thekson se në Shqipëri ky tregues është përmirësuar me 6.3 pikë, ndërsa në Kosovë me 1.8 pikë.

Lajme

28/10/2014 22:34

Si transmeton Zëri i Amerikës, në vlerësimin për Kosovën, raporti vëren përmirësime në nxjerrjen e lejeve të ndërtimit pas krijimit të skemës së re të inspektimit dhe uljes së tarifës për marrjen e lejes. Po ashtu, Kosova vlerësohet për thjeshtësimin e procesit të zbatimit të kontratave, duke futur në funksionim sistemin e garantuesit privat. Ndër vërejtjet përmendet ndërlikimi i procesit të transferimit të pasurisë, si rezultat i rritjes së tarifës për regjistrimin e transaksioneve për regjistrim. Por, BB shprehet pozitivisht, duke vërejtur një përmirësim prej 1.8 pikësh drejt arritjes së standardit të vendeve më funksionale lidhur me klimën e biznesit.

Në kapitullin për Shqipërinë, raporti thekson se u përmirësuan kushtet për hapjen e një biznesi të ri, me uljen e tarifave të regjistrimit të biznesit. Po ashtu, raporti identifikon përmirësime në sektorin e ndërtimit, ku nënvizon se ka rifilluar nxjerrja e lejeve të ndërtimit, si dhe janë konsoliduar në një dokument të vetëm lejet për truallin dhe për ndërtimin. Gjatë vitit të kaluar raporti vëren përparim edhe në transferimin e pasurisë, me vendosjen e afateve kohore dhe digjitalizimin e dokumentacionit për pasuritë e patundshme. 

Ky është viti i 12-të që Banka Botërore nxjerr një raport mbi klimën e zhvillimit të biznesit. Raporti përqendrohet në rregulloret për bizneset e vogla dhe të mesme, duke analizuar 10 indikatorë: hapjen e një biznesi, nxjerrjen e lejeve të ndërtimit, shërbimin elektrik, regjistrimin e pasurisë, marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorëve pakicë, pagimin e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe procedurat e kompensimit të kreditorëve.