BB: Kosova shënoi rritje ekonomike prej 3.6 për qind

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016 dhe mbetet vendi me rritjen më të madhe në rajon. Këtë vlerësim e ka dhënë Banka Botërore gjatë prezantimit të raportit më të ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Lajme

06/04/2017 10:27

Raporti i Rregullt Ekonomik mbulon zhvillimet, gjasat dhe politikat ekonomike në Kosovë dhe në pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Hartohet dy herë në vit nga ekonomistët e Bankës Botërore që punojnë në vendet e rajonit.

Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore Zyra në Kosovë, ka thënë se shohin rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme në Kosovë prej 3.6 për qind që është pak më pak se në 2015, raporton Ekonomia Online.

“Për vitin 2016 ne e kemi projektuar që rritja është 3.6 për qind, por ende nuk i kemi të dhënat nga Agjencia e Statistikave, por kjo rritje duhet të bie në 3.4 për qind”, ka theksuar ai.

Sa i përket punësimit ai ka thënë se kanë evidencë të rritjes së vendeve të punës, “të dhënat aktuale do të dalin shpejt, por trendi është pozitiv”.

“Trendi pozitiv duhet të ndodhë shumë më shumë. E dimë se nga anketimet për rreth një e treta e popullsisë janë në gjendje në nevojë dhe për të ndikuar në këtë Kosova do të duhet të ketë një rritje më të madhe ekonomike”, ka thënë Demukaj.

“Me të vërtetë është konkurrenca e jashtme, e cila është problem ende për krijimin e vendeve të reja të punës. Reformat me kalimin e kohës duhet të ndikojnë në ekonomi dhe kapacitete më të mira për të qenë konkurrent”, tha ai.

Sipas tij, diaspora e Kosovës vazhdon të mbështes ekonominë e vendit përmes remitencave.