BB: Gjysma e vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor i përkasin sektorit privat

Raporti i rregull ekonomik për Ballkanin Perëndimor parashikon që të gjashtë vendet të shënojnë rritje me çka rritja rajonale është projektuar të jetë 3.3 për qind në vitin 2018 dhe 3.6 për qind në vitin 2019-të

Bota

16/11/2017 17:23

 Në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor (BB) të cilin Banka Botërore e prezantoi të enjten, thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor shënojnë rritje të vendeve të punës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit, rritja rajonale pritet të jetë 2.6 për qind në vitin 2017, që rezultoi me 230.000 vende të reja pune deri në qershor të vitit 2017, shifër e cila në krahasim me vitin e kaluar është 3.8 për qind më e lartë.

Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë në gjashtë vendet e këtij rajoni, shkalla e punësimit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë (BeH) është kthyer në nivelin e para vitit 2008, thuhet në raportin e BB-së, ku dhe theksohet se më shumë se gjysma e vendeve të punës i përkasin sektorit privat.

Raporti i rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, i cili këtë herë u prezantua nga Prishtina, parashikon që të gjashtë vendet të shënojnë rritje me çka rritja rajonale është projektuar të jetë 3.3 për qind në vitin 2018 dhe 3.6 për qind në vitin 2019. Në raport thuhet se investimet kanë bërë një zhvillim të shpejtë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, ndërkohë që shpenzimet kontribuuan për një zhvillim stabil në BeH.

Për sa i përket Maqedonisë, raporti thekson se kriza politike ka ndikuar negativisht mbi rritjen në këtë vend, ndërsa në Serbi të njëjtën e ka bërë dimri shumë i ftohtë. Bosnja e Hercegovina këtë vit do të ketë rritje me 3.0 për qind dhe në dy vitet e ardhshme 3.2 dhe 3.4 për qind.

Kosova këtë vit do të ketë rritje me 4.4 për qind, ndërsa në dy vitet e ardhshme 4.8 dhe 4.8 për qind, ndërsa Maqedonia vitin 2017 do ta mbyll me rritje me 1.5 dhe dy vitet e ardhshme me 3.2 dhe 3.9 për qind. Mali i Zi vitin do ta mbyll me 2.9 për qind rritje, ndërsa dy vitet e ardhshme me 2.8 dhe 2.5 për qind, ndërsa Serbia vitin do ta mbyll me 2.0 për të vazhduar në dy vitet e ardhshme me 3.0 dhe 3.5 për qind.

“Është inkurajuese të shohim se gati një dekadë nga kriza globale financiare, punësimi përfundimisht është rikthyer në nivelin e para krizës në pjesën më të madhe të rajonit”, thuhet në deklaratën me shkrim të Linda Van Geler, drejtoreshë e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Rritja ekonomike bashkë me vendet e reja të punës kanë ndikuar në uljen e shkallës së varfërisë, thotë BB sipas të cilës 124.000 njerëz kanë dalë nga varfëria.

“Kosova ka shënuar një rritje të punësimit”

Ekonomist në zyrën e BB-së në Prishtinë, Agim Demukaj, i cili prezantoi raportin për Kosovën, tha se Kosova ka shënuar një rritje të punësimit. Siç tha ai, punësimi në këtë vend ka shënuar një rritje prej 8.5 për qind, kryesisht në sektorin ndërtimtarisë dhe industrisë.

Ai shtoi se poashtu janë shtuar investimet e huaja direkte që janë të lidhura me diasporën kosovare, të ardhura kryesisht nga vendet evropiane, si Gjermania, Zvicra, Austria, Italia, por edhe nga Turqia. Sa i përket rritjes së kreditimit, Demukaj tha se: “Në Kosovë kushtet e përmirësuara të tregut dhe normat e ulta të kamatave kanë nxit rritjen e kreditimit privat.”

“Maqedonia me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon”

Ekonomisti në zyrën e BB-së në Shkup, Bojan Shimbov, duke prezantuar raportin gjysmë-vjetor për Maqedoninë, tha se kriza politika e cila goditi vendin në vitin 2015 dhe kulmoi me zgjedhjen e qeverisë së re në qershor të vitit 2017, gjatë tërë kohës prishi aktivitetet ekonomike.

Megjithatë, Banka Botërore vëren se përkundër aktivitetit të ngadalësuar ekonomik, në pjesën e parë të vitit 2017, papunësia ka shënuar një ulje prej 2.7 për qind me çka janë krijuar 14.000 vende të reja pune. “Maqedonia ka shkallën më të lartë të papunësisë në rajon, prandaj rekomandimi ynë është që qeveria të vazhdoj të përballet me këtë fenomen. Këtu kisha veçuar edhe shkallën e lartë të papunësisë në aspekt afatgjatë me theks të veçantë papunësia tek të rinjtë”, deklaroi Shimbov.

Ai u shpreh optimist për periudhën e ardhshme, pasi siç tha, “pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, që është kriza politike, tashmë ka kaluar, prandaj parashikimet janë që vendi në dy vitet e ardhshme të ketë rritje me 3.2 dhe 3.9 për qind”.

“Zgjerimi ekonomik në Shqipëri ka krijuar vende pune”

Banka Botërore parashikon që rritja në Shqipëri këtë vit të jetë 3.8 për qind, 3.6 për qind në vitin 2018 dhe 3.5 për qind në vitin 2019.

Sipas raportit të Bankës Botërore, zgjerimi ekonomik në Shqipëri ka krijuar vende pune. Gjithashtu në raport theksohet se për të përshpejtuar rritjen, do të jetë e rëndësishme për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e reformave për konsolidimin e financave publike, përmirësimin e efikasitetit të shpenzimeve, të reduktojë rreziqet nga sektori i energjisë dhe i financave.

Në Shqipëri eksportet neto kontribuuan pozitivisht në gjysmën e parë të vitit 2017, ndërkohë, shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike në vend janë sektori i ndërtimit dhe sektori i shërbimeve. Sipas raportit, perspektiva afatmesme ekonomike për Shqipërinë është pozitive, edhe pse parashikohet rritja moderuar.