Bayerni e tepron me pasime

Franck Beckenbauer thotë se nuk është kritik i Pep Guardiolës, por insiston se futbollistët e Bayern Munichut nuk duhet ta pasojnë topin kur janë një metër larg portës së kundërshtarit.

Sport

03/05/2014 09:27

Pas eliminimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola ka përfunduar në qendër të kritikave.

Shumëkush ka filluar të kontestojë stilin e lojës së tij, duke parë tiki-takan si motiv për të cilin skuadra u dominua nga Real Madrid. Në mesin e atyre që kundërshtojnë strategjinë e lojës me pasime të shpeshta është edhe i madhi Franz Beckenbauer.

“A jam kritik i Guardiolës? Jo, përkundrazi, jam mbështetës i stilit të lojës së tij, kulturës së tij në futboll, kritikoj vetëm ekzagjerimet, nuk mund të vazhdohet të pasohet topi kur jeni një metër larg portës”, deklaroi zyrtari i lartë i Bayernit.

Beckenbauer ende i beson Guardiolës.

“Nuk mund të mendohet për ndryshime vetëm për shkak se në periudhën e fundit gjërat nuk kanë shkuar mirë. I vetmi hall për Bayernin është se skuadra ka rënë në krizë pikërisht në kohën kur luante për titujt e mëdhenj”, u shpreh ai.