Bayern triumfon ndaj Hoffenheim, afrohet në tri pikë me Dortmund

Bayern Munich ka vazhduar serinë e fitoreve në Bundesligën gjermane.

Sport

18/01/2019 22:22

Bavarezët e kanë mbyllur me fitore edhe xhiron e 18 duke e mposhtur Hoffenheimin në udhëtim me rezultatin 1:3.

Heroi i kampionëve në fuqi këtë ndeshje doli të ishte mesfushori Leon Goretzka, shkruan lajmi.net.

Ishte minuta e 34’ kur ish anëtari i Schalke shënoi golin e parë në këtë takim dhe i dha epërsinë skuadrës së Bayern.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, (45’), ishte përsëri Goretzka i cili shfrytëzoi asistimin e Alaba për të dyfishuar epërsinë e bavarezëve.

Pjesa e dytë tregoi edhe dy gola. I pari u shënua nga vendasit, në minutën e 59, me anë të Nico Schulz.

Në minutat e fundit të takimit (87’) ishte Robert Lewandowski i cili i dha qetësinë skuadrës së tij dhe me golin e tij vendosi rezultatin final 1:3.

Me këtë fitore Bayern është ngjitur në kuotën e 39 pikëve, duke u afruar në vetëm tri pikë me liderët e Dortmund.

Kujtojmë se Dortmund ka një ndeshje më pak, ndeshje të cilën e luan nesër me fillim nga ora 18:30 kundër Leipzig. /Lajmi.net/