Bayern Munich fiton Bundesligën

Bayern Munich ka siguruar titullin e ri në Bundesligë. Skuadra e Pep Guardiolës mposhti Hertha Berlinin me rezultat 3:1 dhe e rrëmbeu kurorën e 24-të të kampionit të Gjermanisë. Suksesi i gjigantit bavarez është realizuar në kohë rekorde, pas vetëm 27 xhirosh.

Sport

25/03/2014 22:27

Bayern Munich ka fituar titullin e ri të kampionit të Bundesligës.

Gjiganti bavarez mposhti në udhëtim Hertha Berlinin me rezultat 3:1 dhe mbrojti titullin, në periudhë rekorde pas vetëm 27 xhirosh. Skuadra e Pep Guardiolës që ka dominuar edicionin e sivjetmë të Kampionatit gjerman e kurorëzoi edhe matematikisht suksesin në ligë.

Toni Kroos e kaloi Bayernin në epërsi pas vetëm gjashtë minutash lojë, kurse pak më vonë Mario Gotze shtoi golin e dytë të mysafirëve. Pjesa e parë u mbyll me avantazh të dyfishtë të Bayernit por vendasit u rikthyen në lojë pas pak më tepër se një ore lojë kur Adrian Ramos shënoi nga penalltia.

Mirëpo, fitoren dhe titullin e kampionit për Bayernin e siguroi Franck Ribery me golin e tij në minutën e 79-të.

Ylli kosovar Xherdan Shaqiri nuk luajti fare në këtë takim por kjo nuk e parandaloi që të festojë së bashku me bashkëlojtarët e tij. Ky është titulli i 24-të i Bayernit në Kampionatin gjerman.

Në ndeshjen tjetër, Borussia Dortmund ndau pikët me Schalken duke luajtur pa gola.  Bayern ka siguruar titullin me 77 pikë, me bilanc prej 25 fitoresh dhe vetëm dy barazimeve, pa asnjë humbje.