Bavaria do ta bëjë me zor shqiptaren me pasaportë serbe

Laura M. Ka probleme me shtetësinë gjermane. Për të fituar këtë shtetësi, asaj i duhet të heqë dorë orë jo vetëm nga dokumentet e saj kosovare, por edhe nga dokumentet serbe, që nuk i ka fare. 

Bota

08/01/2015 23:53

Laura M. është e lindur në Gjermani, por nuk ka pasaportë gjermane. Prindërit e saj kanë ardhur nga Kosova si refugjatë lufte dhe ajo në bazë të tyre e trashëgon pasaportën kosovare. Mirëpo, kur Laura ka shkuar në Marok me të dashurin, asaj i është dashur të presë disa orë, megjithë vizën e vlefshme.

“Jam frikësuar se nuk do të më lënë ta lëshoj vendin”, thotë vajza 20 vjeçe, e cila gjithë çfarë dëshiron është të fitojë pasaportën gjermane, pasi që me gjithçka të saj ndjehet si gjermane.

Asaj i është dashur të anulonte udhëtimin për në Spanjë, pasi ky vend nuk e ka njohur Kosovën dhe rrjedhimisht nuk e njeh as pasaportën kosovare. Njësoj do ta kishte edhe nëse do të dëshironte të udhëtonte për në Rusi dhe në shumë vende tjera, që ende nuk e kanë njohur shtetin e prindërve të saj, Kosovën.

Gjithë këto probleme Laurës i vijnë nga një burim: Republika (landi) e Bavarisë ia bën të vështirë, pothuaj të pamundur të fitojë shtetësinë gjermane. “Për të fituar këtë shtetësi, më duhet të heq dorë jo vetëm nga dokumentet e mia kosovare por edhe nga dokumentet serbe, gjegjësisht t`i dorëzoj ato. Por fakti është se dokumentet e saj serbe as që ekzistojnë diku. “Kam frikë që si kosovare të udhëtoj për në Serbi që t`i siguroj ato. Të njohurit më kanë thënë se kjo mund të bëhet vetëm përmes ndërmjetësuesve dhe kundrejt pagesës së shumave të mëdha të parave”, thotë ajo.

“Po të jetoja në një land tjetër, për shembull në Baden Württemberg, unë me kohë do ta kisha marrë pasaportën gjermane. Me sa di unë, dorëzimi i dokumenteve serbe kërkohet vetëm në landin e Bavarisë”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme e ka sqaruar kështu problemin e Laurës: “Dallimet në mes të republikave (landeve) parimisht nuk ekzistojnë, pasi që e gjithë Gjermania nuk e njeh dyshtetësinë. Por Bavaria, përjashto ndonjë rast ekstrem, e respekton këtë parim shumë qartë. Landet tjera nuk e marrin këtë me kaq seriozitet. Kështu, në ato lande, Laura mund të mbante edhe pasaportën kosovare krahas asaj gjermane. Por pa i poseduar dhe dorëzuar dokumentet serbe, asnjë shtetas kosovar nuk mund të lirohet nga shtetësia kosovare (që është kusht për të marrë shtetësinë gjermane në Bavari). Kjo për faktin se Kosova është shtet i pavarur vetëm nga viti 2008 dhe prandaj janë të nevojshme dokumentet serbe”, sqaron zëdhënësi.

Nga ana tjetër, ai nuk mund ta konfirmojë se kërkohen ndërmjetësues dhe pagesa për t`i siguruar dokumentet në fjalë, shkruan wochenblatt.de. “Raste të tilla nuk kemi të regjistruara. Përkundrazi, nga viti 2004,  2,300 kosovarë janë liruar nga shtetësia e tyre e mëparshme. Vetëm në vitin 2013 kanë qenë 321 të tilla.

Ai e këshillon kështu Laurën dhe të prekurit tjerë: “Sa më shpejt të marrin kontakt me përfaqësinë serbe dhe të pyesin se si mund t`i sigurojnë dokumentet e kërkuara. Në rast se dalin probleme, kërkohen shuma të mëdha parash ose ngjashëm, urgjentisht të paraqiteni te autoritetet për të huaj në qytet ose këtu, në Ministrinë e Brendshme. Është me rëndësi që të gjitha përpjekjet për sigurimin e këtyre dokumenteve të jenë të dokumentuara me shkrim”, përfundon zëdhënësi.