Bastisje në 30 lokacione pas dyshimeve për tjetërsimin e 36 hektarëve tokë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me policë të misionit të EULEX-it në mëngjesin e së enjtes kanë kryer bastisje në 30 lokacione të ndryshme në vend, nën dyshimet për tjetërsimin e 36 hektarëve pronë shoqërore.

Lajme

02/10/2015 08:27

Fillimisht policët kanë “trokitur” te zyrat e noterit Isak Ademi, ku i kanë marrë rreth 50 kontrata të shitblerjes së tokave, të cilat janë lidhur në mes Mehmet Prishtinës, që është i dyshuari kryesor për krim të organizuar dhe që po hetohet nga një prokuror ndërkombëtar  në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe të disa personave të tjerë.

Kërkesën për bastisje nën dyshimet për tjetërsim të pronës shoqërore e ka bërë prokurori, të cilën e ka miratuar një gjyqtar i EULEX-it, pasi që Mehmet Prishtina dyshohet se i ka tjetërsuar 36 hektarë tokë pronë shoqërore, të cilat ia ka shitur disa qytetarëve. Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, gjatë këtij aksioni policor janë kërkuar të gjitha kontratat e shitblerjes mes Prishtinës dhe blerësve të tjerë.

Policia merr kontratat nga noteri

Pesëmbëdhjetë kontrata të tilla, hetuesit i kanë marrë në zyrën e noterit Isak Ademi, ndërsa dhjetëra të tjera sipas burimeve të gazetës, janë marrë në lokacione të ndryshme që janë bastisur gjatë ditës së enjte.

I kontaktuar nga gazeta, noteri Isak Ademi për aksionin policor ka thënë se nuk ka qenë bastisje, por ka pranuar se Policia në zyrën e tij i ka kërkuar disa kontrata.

“Kanë qenë dhe i kanë marrë disa kontrata, rreth pesëmbëdhjetë kontrata”, ka thënë noteri Ademi, i cili nuk e ka mohuar se këto kontrata janë lidhur në mes të Mehmet Prishtinës dhe personave të tjerë në zyrën e tij.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e cila e ka bërë kërkesën për bastisje, nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me aksionin e së enjtes.

“Policia e Kosovës (PK), duke përfshirë edhe Drejtorinë e PK-së për Krime Ekonomike, së bashku me Njësinë e Hetimeve të Krimit të Organizuar të EULEX-it (OCIU) kanë kryer bastisje të shumta, në disa prona, në bazë të një urdhri të gjykatësit të EULEX-it nga Gjykata Themelore në Prizren. Këto aktivitete kanë të bëjnë me hetimin(et) në vazhdim kundër krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe veprave të ngjashme, të kryera nga një prokuror në PSRK”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

 Rrecaj: Po zhantazhohet klienti im

Në anën tjetër, Tahir Rrecaj, avokat i Mehmet Prishtinës, ka deklaruar se klienti i tij me përgjegjësi të plotë morale, politike dhe penale, para opinionit deklaron se sa i përket pronave nën hetim prej 36.46 hektarë, ky është blerës me mirëbesim i vetëm 5.5 hektarëve nga 36 hektarët e apostrofuar më lart. “Mehmet Prishtina parcelën e ka blerë nga Dukagjin Emërllahu, sipas dy kontratave të ndryshme dhe atë: nga Njësia Kadastrale P-71914075-01299-0, në sipërfaqe prej 10133m2, vendi i quajtur “Mirkovica V. Breg”, dhe 01311-0, në sipërfaqe prej 15019m2, Komuna Kadastrale Prishtinë, Zona Kadastrale Çagllavicë, vendi i quajtur “Mirkovica Milina”, lloj prone “parcelë”, zona R, tokë bujqësore, 1/1, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25152m2, dhe nga Njësia Kadastrale P-73414058-00002-4, kultura tokë bujqësore, në vendin e quajtur “Veternik”, me sipërfaqe prej 30000 m2, Zona Kadastrale Preoc, apo gjithsej vetëm 5.5 hektarë tokë. Kontratat mbi shitblerjen janë vërtetuar te noteri Isak Ademi në Prishtinë, dhe mbajnë numrat LPR. nr. 3234/12, Ref. Nr. 435/12, Ekstrakt dhe LRP. nr. 216/13, nr. i ref. 100/13”. Sipas avokatit të Prishtinës, pjesa tjetër e kësaj toke prej 36 hektarëve është shitur nga Dukagjin Emërllahu, blerësve tjerë, emrat e të cilëve janë të njohur për Prokurorinë e EULEX-it, që është duke i zbatuar hetimet.

“Vlen të theksohet se z. Prishtina, në pronën e vet familjare është duke e zhvilluar një projekt ndërtimi (www.newpr.biz), në një sipërfaqe të përgjithshme prej 14 hektarësh, pronë kjo e blerë para vitit 2007 nga pronarë të ndryshëm, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me 36 hektarët e theksuar më lart dhe as që janë pjesë e hetimit në fjalë”.

Sipas avokatit Rrecaj, Prishtina dyshon se grupe të caktuara të interesit po e shfrytëzojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik, edhe përmes mediave, me qëllim të shantazhimit të tij, duke e kërcënuar atë dhe familjen e tij edhe me jetë (rasti është i lajmëruar në Policinë e Kosovës), dhe dështimit të këtij projekti në të cilin janë investuar shuma të mëdha parash dhe janë realizuar të gjitha punët e infrastrukturës si: rruga, trotuari, kanalizimi, ujësjellësi, ndriçimi publik etj. “Realizimi i projektit gjendet në fazën përfundimtare të pajisjes me leje ndërtimi. Përveç shtëpive rezidenciale në gjashtë modele të ndryshme, ky projekt përfshin edhe një klinikë gjinekologjike-onkologjike me specialistë të kësaj fushe nga Gjermania, një kopsht për fëmijë dhe një shkollë”. /Zëri