Bastisen pronat e Naser Kelmendit në Pejë

Urdhrin për bastisje e ka dhënë një Gjykata Themelore në Prishtinë. Bastisjet janë pjesë e hetimeve ndaj Kelmendit në dyshimet për vrasje, trafikim droge dhe krim të organizuar.

Lajme

18/12/2013 15:13

Njësitet speciale të Policisë së EULEX’it kanë bastisur sot pronat e biznesmenit Naser Kelmendi në Pejë, i cili që nga pranvera e këtij viti është në paraburgim.

Urdhrin për bastisje e ka bërë Gjykata Themelore në Prishtinë si pjesë e hetimeve ndaj këtij biznesmeni.

“Sot Policia e Kosovës si dhe Njësiti i EULEX-it për Krim të Organizuar bashkërisht kanë bastisur disa lokacione në Pejë”, ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi.

“Bastisjet janë kryer me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, në kërkesë të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës”.

“Bastisjet janë pjesë e hetimit ndaj Naser Kelmendit në dyshimet për vrasje, trafikim të drogës, si dhe krim të organizuar”, ka thënë zëdhënësi Blerim Krasniqi.

Kelmendi është arrestuar në maj të këtij viti, ndërsa dy muaj më parë, atij iu vazhdua paraburgimi deri më 7 janar të vitit të ardhshëm. Me të njëjtat akuza ai është hetuar edhe nga autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës, shtet ku ai ka ushtruar për shumë vite aktivitete biznesore.