Bastisen lokalet në veri të Mitrovicës, aksioni i policisë përfundon pa ekses (Video)

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, kanë ndërmarrë të enjten mbrëma një operacion të gjerë në luftë kundër drogës dhe armëve, duke bastisur në këtë mënyrë shumë lokale në veri të këtij qyteti.

Lajme

17/10/2014 13:50

Në këtë operacion kanë marrë pjesë një numër i madh i policëve, ndërsa është parë edhe shefi i operativës për rajonin e veriut, Zeljko Bojiq.

Ai tha për KosovaPress se gjithçka është zhvilluar sipas parashikimeve dhe pa ndonjë ekses.

“Ky operacion është i karakterit preventiv, në të cilin kanë marrë pjesë pjesëtarë të njësitit të specializuar kundër narkotikëve, njësisë speciale për reagime të shpejta, si dhe njësiti rajonal i hetuesisë nga veriu i Mitrovicës. Gjatë realizimit të këtij operacioni nuk është shënuar asnjë problem. Policët kanë kryer në mënyrë profesionale punën e tyre”, ka thënë Bojiq.

Për shkak të rrjedhës, nuk ka dashur të precizojë numrin e saktë të policëve në këtë operacion.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka vlerësuar të suksesshëm aksionin policor, duke thënë se përkundër se nuk është gjetur drogë, armë apo diçka të ngjashme, aksioni ka përçuar mesazhin tek qytetarët.

“Është me rëndësi se tek qytetarët është përçuar mesazh i qartë sa i përket parandalimit të veprave të ndryshme penale”, ka thënë Hoti.

Një zyrtar policor nga stacioni i policisë në veri, i cili ka preferuar që të mos i përmendet emri, ka thënë për KosovaPress se Policia është më e vendosur se kurrë që t’i shkatërrojë të gjitha bandat, grupet kriminale dhe rrjetet e organizuara të drogës të cilët po i bëjnë dëm qytetarëve.