Basri Çapriqi krijoi stil të veçan në letërsinë shqipe

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Sali Bashota, vlerësoi se veprimtaria e profesorit e poetit Basri Çapriqi, i cili ndërroi jetë ditë më parë do të mbetet e përjetshme në letërsinë shqipe.

ShowBiz

16/01/2018 09:26

Bashota tha se puna e Basri Çapriqit do të mbetet në mendjet e të gjithë atyre që e njohën. “Pa i mbushur 58 vite, ai shkoi në amshim”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas profesor Bashotës, Basri Çapriqi nuk ishte folur kurrë për sëmundjen e tij. “Ai ishte shumë optimist për jetën, nuk fliste për sëmundjen. Ai iku shpejt, iku brenda disa ditëve”, tha Bashota.

Mediteran ishte Basri Çapriqi. “Basriu në shkrimet e tij trajtonte tema për hapësirën shqiptare. Ai ishte studiues në disa fusha. Veprat e tij do të jenë shembull për të gjithë”, deklaroi ai.

“Basriu ka qenë në vete një lloj rebelizmi. Veprimtaria e tij krijuese ka qenë e veçantë, ai ka arritur që në mënyrë të veçantë të krijojë një stil të veçantë”, pohoi ai.

Ndryshe Basri Çapriqi ka lindur më 1960 në Anë të Malit-Ulqin. Ka mbaruar gjimnazin në Ulqin, ka studiuar Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës ku edhe ka magjistruar në Shkencat Filologjike.  Ishte profesor i stilistikës në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë dhe kryetar i PEN Qendrës së Kosovës. Basri Çapriqi la pas vdekjes gruan dhe dy fëmijë.