Bashkimi me Kosovën mbetet synim i Luginës

Ish-Drejtori Politik i UÇPMB’së, Jonuz Musliu, e përshkruan me dhimbje dhe krenari ditën kur para 14 vjetësh, kjo ushtri doli publikisht në Dobrosin të Bujanocit. Ai tregon se në zemrat e çdo ushtari të Luginës mbetet synimi për bashkimi me Kosovën.

Lajme

27/01/2014 09:24

Me rastin e shënimit të 14 vjetorit të daljes publike të UÇPMB’së, ish Drejtori Politik i kësaj ushtrie, Jonuz Musliu, ka vlerësuar se synim i këtij formacioni ushtarak ishte çlirimi i Luginës së Preshevës dhe bashkimi i saj me Kosovën.

Teksa ka përshkruar ditën e 26 janarit të vitit 2000, ai në një bisedë për ‘Epokën e re’, ka bërë me dije se edhe pas 14 vjetësh në shpirtin dhe në zemrën e çdo shqiptari të Luginës së Preshevës është bashkimi me Kosovën, pasi kjo trevë me dhunë e pa dëshirën e popullatës ishte shkëputur nga trungu i saj.

“Qëllimi dhe synimi i UÇPMB’së ka qenë i cekur edhe në platformë. Ishte bashkimi me Kosovën, pasi Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë qenë tokë integrale e Kosovës dhe janë ndarë dhunshëm prej këtij vendi”.

“Për këtë është organizuar lufta jonë çlirimtare. Ky synim vazhdon të ekzistojë ende në shpirtin dhe zemrat e popullit shqiptar. Kudo që jetojnë, të gjithë janë njëzëri të vijmë deri te bashkimi me Kosovën”.

Sipas tij, rol të rëndësishëm në këtë drejtim mund të luajnë udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë së bashku me faktorin ndërkombëtar.

“Bashkimi arrihet me punë, unitet të të gjithë faktorëve shqiptarë, me mbështetje financiare dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve”.

“Tani është momenti kyç që edhe Shqipëria e Kosova ta ngrehin dorën lart dhe t’i tregojnë Serbisë se kjo pjesë është e shqiptarëve dhe nuk duhet të preket”.

“Obligim moral dhe kombëtar e kanë Hashim Thaçi e Edi Rama si dhe kushdo që vjen pas tyre”.

Musliu i cili aktualisht është Kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, e ka pranuar se fillimisht frymën e uniteti duhet ta tregojnë liderët e shqiptarëve në Luginë, pastaj pjesa tjetër e shqiptarëve.

“Esenca është tek uniteti i të gjithëve. Ne duhet të bëhemi bashkë sikur ato thuprat e Skënderbeut. Pra unitet kërkohet nga vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës, nga lidershipi ekzistues i shqiptarëve, pastaj unitet duhet të kërkohet nga Kosova dhe Shqipëria”, ka thënë ai për të përditshmen “Epoka e re”.