Bashkimi Evropian thotë se demarkacioni nuk është kushti i vetëm për heqjen e vizave

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi nuk është kusht i vetëm që kosovarët të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian.

Lajme

18/11/2017 17:47

Edhe pse, zyrtarët kosovarë thonë se me ratifikimin e demarkacionit liberalizimi do të ndodhë, të njëjtën gjë nuk e thotë BE-ja.

Në një përgjigje për lajmi.net, Katarzyna Kolanko nga Zyra e Komisionit Evropian ka thënë se përpos demarkacionit kusht për liberalizimin e vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Komisioni mirëpret përmbushjen e kritereve të pazgjidhura, si luftën kundër nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi. Kjo duhet të jetë një proces i vazhdueshëm”, ka thënë Kolanko.

Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn po vazhdon ta kundërshtoj versionin aktual të demarkacionit. Për këtë, kryeministri ka krijuar një komision të ri duke deklaruar se nëse ka gjetje të reja, çështjen e demarkacionit do ta dërgoj në arbitrazh.

Në maj të vitit 2015, Komisioni Evropian kishte dhënë rekomandimin që Kosovës t’i hiqen vizat./Lajmi.net/