Bashkëpunim ndëruniversitar në fushën e energjisë së qëndrueshme

Projekti “NORMAK Sustainable Energy” synon të kontribuojë në zhvillim ekonomik, duke zhvilluar institucione dhe struktura të arsimit të lartë që janë të afta t’i zbatojnë ndryshimet e nevojshme për fuqizimin e sektorit të energjisë. Projekti fuqizon programet akademike, transferon njohuritë nga Kolegji universitar i Gjøvikut të Norvegjisë tek universitetet rajonale dhe ofron bashkëpunim të drejtpërdrejtë mes bizneseve nga Norvegjia dhe atyre nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.

Lajme

28/05/2014 23:03

Studentët nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët duan të specializohen dhe të arsimohen në fushën e energjisë së qëndrueshme, këtë së shpejti mund ta bëjnë falë projektit të nisur nga Kolegji universitar i Gjøvikut dhe të financuar nga programi HERD i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Projekti u lansua më 27 maj 2014, kur edhe u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Kolegjit universitar të Gjøvikut dhe tre rektorëve, Anton Berishaj, i Universitetit të Prishtinës, Jorgaq Kacani, i Universitetit Politeknik të Tiranës, dhe Zamir Dika, i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë.

Njohuritë dhe përvoja norvegjeze dhe përmbajtja e mësimdhënies/metodologjisë do të transferohen nga Kolegji universitar i Gjøvikut tek universitetet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri përmes  një programi të ri të masterit “Menaxhimit i Energjisë dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm” dhe dy lëndëve te reja, “Energjia dhe Ambienti” dhe “TIK për energji të qëndrueshme”. Projekti do të zgjasë 2 vjet e gjysmë dhe koordinohet nga Athene Prosjektledelse, nga Norvegjia, dhe Athene Kosovo LLC – dega e saj në Kosovë.

“Bashkëpunimi me Gjøvikun nuk është i ri pasi ai ka filluar vite më parë dhe jam shumë i gëzuar që jam sot pjesë e këtij takimi, dhe jemi shumë të hapur për fillimin e projektit dhe unë nga ana ime do të shtyj përpara çdo lloj ideje që do të jetë e mirë për studentët  dhe përvojën tonë”, tha Berishaj, ushtrues detyre i rektorit të UP-së.

Halgeir Leiknes, nga kolegji i Gjøvikut theksoi se “ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse bëhet në kuadër të energjisë së ripërtërishme dhe energjisë së qëndrueshme”.

Në kuadër të projektit do të ketë shkëmbim akademik të stafit dhe studentëve mes universiteteve në rajon dhe universitetit në Norvegji, po ashtu do të ketë zhvillim të kurrikulave, aktivitete dhe projekte në fushën e hulumtimit dhe zhvillimit shkencor në bashkëpunim me industrinë e energjisë, do të përkrahet zhvillimi i laboratorëve të energjisë në fakultete, do të krijohen programe online, ´eLearning´ dhe shume aktivitetet të tjera me qëllim të zhvillimit të institucioneve dhe strukturave të arsimit të lartë në sektorin e energjisë.

Projekti NORMAK është i përqendruar në tri shtylla: Energjia e Ripërtërishme, Efiçienca e Energjisë, dhe Rrjeti i mençur.