Bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi në proceset integruese

Ministri Enver Hoxhaj zhvilloi sot takime të ndara me ministren e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Klajda Gjosha, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Rasko Konjeviç, të cilët qëndruan për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Lajme

26/03/2014 18:41

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi sot takime të ndara me ministren e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Klajda Gjosha, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Rasko Konjeviç, të cilët qëndruan për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimeve, ministri Hoxhaj i njoftoi dy ministrat për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, duke theksuar edhe fokusimin e diplomacisë kosovare në agjendën multilaterale.

Në takimin me ministren Gjosha, ministri Hoxhaj vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar vullnetin për zgjerimin e mëtutjeshëm të partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit, veçanërisht në proceset integruese evropiane.

Hoxhaj kërkoi përkrahjen e mëtutjeshme të Shqipëria në proceset integruese, përmes shkëmbimit të përvojave në këtë rrugë.

 

Ministrja e Integrimit Evropian e Shqipërisë, Klajda Gjosha, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Shqipërisë për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit bilateral, me theks të posaçëm në proceset e reformave për anëtarësim në BE.

Gjatë takimit me ministrin Konjeviç, ministri Enver Hoxhaj shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe fqinjësisë konstruktive me Malin e Zi, duke vlerësuar lartë raportet e deritashme bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Rasko Konjeviç, po ashtu theksoi vullnetin e Qeverisë së Malit të Zi për fuqizimin e shkëmbimeve me Kosovën, duke vlerësuar lartë edhe progresin e arriturat në Kosovë, thuhet në komunikatën e MPJ-së.