Bashkëpunim me Arabinë Saudite

Ministri Hoxhaj u takua me Ambasadorin e Arabisë Saudite, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim dhe me përfaqësues të Fondit Saudit. Bisedohet për thellimin e bashkëpunimit Kosovë- Arabi Saudite.

Lajme

04/12/2013 12:34

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka pritur sot Ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, jo rezident në Kosovë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, me të cilin kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit me këtyre dyja vendeve.

Ministri Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Kosovës po mundohet që nëpërmjet sjelljes së investitorëve në Kosovë të rris zhvillimin ekonomik, dhe njëra prej vendeve potenciale për bashkëpunim është edhe Arabia Saudite.

“Ka mundësi të mëdha të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite. Prioritet qendror i Qeverisë së Kosovës është zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investitorëve në Kosovë, dhe Arabia Saudite mund të jetë një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin e shtetit tonë, për bizneset dhe qytetarët”.

Ndërkaq, Ambasadori Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim ka falënderuar ministrin Hoxhaj për pritjen dhe ka përshëndetur gadishmërinë e  Kosovës për të forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin e dy shteteve, në fusha konkrete.

Pas këtij takimi, Ministri Hoxhaj është takuar edhe me delegacionin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të kryesuar nga zëvendëskryetari i këtij fondi, Yousef Al-Bassam.

Enver Hoxhaj, ka falënderuar Arabinë Saudite për ndihmën e dhënë Kosovës dhe ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të thelluar marrëdhënien mes të dyja vendeve, veçmas për marrëveshjen e nënshkruar, ku Arabia Saudite do të financoj në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

Nënkryetari i Fondit Saudit, Yousef Al-Bassam ka shprehur vullnetin e këtij fondit për të thelluar bashkëpunimin e saj me Qeverinë e Kosovës edhe në sferën e ekonomisë dhe investimeve në infrastrukturë.