Bashkëjetesa e institucioneve ilegale dhe legale serbe në Kosovë

Strukturat paralele të Serbisë janë ende aktive në Kosovë, edhe pse marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parashikon eliminimin e tyre.

Lajme

04/05/2014 14:15

Milos Filiq është kryetari paralel i Komunës së Kamenicës, i mandatuar nga qeveria serbe, por i cili ushtron funksionin e tij brenda Kosovës. Në të njëjtën kohë, Filiq në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë është zgjedhur këshilltar në Kuvendin Komunal, nën ombrellën e institucioneve kosovare, raporton TCH!

Tani, ai kryen dy funksione legale për të dy shtetet: si përfaqësues ligjor i Serbisë në Kosovë dhe si deputet ligjor brenda institucioneve kosovare! Eliminimi i institucioneve paralele serbe mbetet vetëm në letër. Aktiviti i tyre është i prekshëm pothuajse në çdo enklavë serbe në terren.

“Ju them se funksionojnë. Unë për juve, pra për shqiptarët e Kosovës jam kryetar paralel. Ne jemi pjesë e institucioneve të Serbisë në Kosovë. Ne nuk kemi ndonjë bashkëpunim të thellë me institucionet e Kosovës, por unë si person kam garuar në zgjedhjet e fundit të institucioneve të Kosovës dhe jam zgjedhur deputet i Kuvendit komunal të Kamenicës”, tha Milos Filiq.

Për punën ilegale, që po kryen Filiq si përfaqësues i serbëve, nga qeveria kosovare është mandatuar Gradimir Mikiq. Ky i fundit është kryetar i Ranillukut, komunë me shumicë serbe e dalë nga pakoja e Ahtisaarit, që ndodhet rreth 5 km nga Kamenica.

Në fakt, të dy kryetarët serbë – nga këndvështrimi i tyre – janë legalë, njëri nga institucionet kosovare, e tjetri nga ato serbe. Por, raportet jo të mira në punët zyrtare nuk ndikojnë në raportet e tyre personale.

“Institucionet paralele janë institucione ndihmëse, që vërtet i vijnë në ndihmë serbëve lokalë dhe ne nuk kemi asgjë kundër tyre. Aty merren pensionet dhe ndihmat sociale nga Serbia. Nëse ato do të mbylleshin, neve do të na krijonin 1 milion probleme. Por, se si do të zgjidhet ky problem, se në çfarë forme do të integrohen, për këtë çështje duhet të bisedohet në Bruksel, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Gradimir Mikiq, kryetar legal në komunën e Ranillukut.

E gjithë kjo situatë është e njohur për zyrtarët komunalë të Kamenicës, megjithatë kjo çështje duket se kalon kompetencat lokale.

Dy persona që ushtrojnë të njëjtën detyrë mund të gjesh edhe në shumë institucione arsimore. Shumë shkolla të zonës kanë nga dy drejtorë. Njëri nga institucionet serbe, që paguhet për funksionin e tij, dhe tjetri nga ato kosovare.

Megjithë këtë situatë kontradiktore, bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në këtë qytezë vlerësohet një ndër më të mirat. Madje, bashkëpunimi edhe më i fortë duket ndërmjet përfaqësuesve serbë të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Por, së fundmi, mediat serbe kanë publikuar skandale të keqpërdorimeve dhe korrupsionit me fondet e dedikuara për Kosovën. Kjo ka bërë që institucionet serbe të ngrenë edhe një komision hetimor, duke bllokuar përkohësisht veprimtarinë e tyre financiare dedikuar serbëve kosovarë.

(Top Channel)