Bashkë në luftëra, bashkë në futboll (FOTO)

Kosova dhe Kroacia kishin ideale të përbashkëta kombëtare. Në vitet e 90-ta përkrahën njëra-tjetrën në luftërat e përgjakshme kundër të njëjtit regjim.

Sport

30/09/2016 11:30

Ndihmuan njëra-tjetrën për çlirim dhe pavarësim. Kosova e izoluar ishte e gatshme t’i jepte Kroacisë edhe futbollistë.

Kurse, zyrtarë të futbollit kroatë dhe tifozë kishin ngritur zërin dhe kërkonin njohjen e Kosovës nga UEFA e FIFA. Madje, kroatët gati e rrezikonin veten për të luajtur me kosovarët.

Dhe, takimi i shumëpritur do të ndodhë më 6 tetor në Shkodër, ku miqësia do t’i bëjë edhe më të vlefshme pikët që çojnë drejt Botërorit, shkruan në numrin e sotëm Gazeta “Zëri”

Kosova dhe Kroacia do të takohen më 6 tetor në Shkodër, në kuadër të kualifikimeve të Botërorit “Rusia 2018”.

Njëherësh, kjo do të jetë hera e parë që këto dy vende do të dalin në mejdan kundër njëra-tjetrës, pasi e kaluara Kosovën dhe Kroacinë i përshkruan si të bashkuara në idealet e tyre të njëjta kombëtare dhe që i kishin kurorëzuar në një miqësi të vërtetë, të cilën vazhdojnë ta shijojnë të dy popujt, tani të lirë në shtetet e tyre të ndërtuara mbi themelet e gjakut të dëshmorëve të luftërave të përgjakshme.

Shqiptarë e kroatë, bashkë në luftëra

Kosova e Kroacia ishin pjesë e Konfederatës Jugosllave, tashmë të shpërbërë. Të dy popujt kishin një armik të njëjtë – ish-regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit. Por, pas një lufte të përgjakshme që kishte nisur pikërisht në një ndeshje futbolli, Kroacia kishte triumfuar duke e shpallur lirinë dhe pavarësinë e saj. Në luftën e fituar, kroatët ishin ndihmuar edhe nga luftëtarët shqiptarë të Kosovës, për çka edhe sot shteti dhe populli kroat u është mirënjohës, shkruan “Zëri”.

Image

Shtatë vjet më vonë ish-regjimi serb i Millosheviqit ia kishte vënë zjarrin edhe Kosovës, që po mbrohej dhe po e kërkonte lirinë përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilën uniformë thuhet se e kishin veshur edhe shtetas kroatë për ta ndihmuar Kosovën, ashtu siç ishin ndihmuar vetëm shtatë vjet më parë nga shqiptarët.

Image

Me ndihmën e aleatëve ndërkombëtarë Kosova ishte çliruar, regjimi serb e kishte lëshuar Kosovën, e cila pas një procesi të gjatë politik, më 17 shkurt të vitit 2008 kishte shpallur pavarësinë, e cila sot ka njohje të gjerë ndërkombëtare. Kroacia ishte ndër vendet e para që e kishte njohur. Ndërsa, tani të dyja shtetet krenohen me bashkëpunimet dhe me marrëdhëniet e tyre.

Kroacia me shqiptarë në luftë, me shqiptarë në Botëror

Pasi kishte shpallur pavarësinë pas një lufte të ashpër me ish-regjimin serb, në të cilën ishte ndihmuar nga luftëtarët shqiptarë, Kroacia kishte fituar të drejtën për të marrë pjesë edhe në garat ndërkombëtare sportive. Madje, shumë shpejt pas shtetbërjes ishte kualifikuar në Kampionatin Botëror të vitit 1998 në futboll, kur Kosova po e hiqte të zinjtë e ullirit nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Zëri shkruan se në një klimë të tensionuar në Kosovë, shqiptarët me ëndje po e përkrahnin Kombëtaren kroate, e cila nuk kishte arsye të mos i besonte një shqiptari, të cilin e kishte ftuar në garën e nivelit më të madh që po garonte. Ai ishte sulmuesi i famshëm kosovar, Ardian Kozniku, i cili bashkë me ekipin kroat kishin befasuar botën duke e zënë vendin e tretë në atë Botëror.Image

Kosova e izoluar, kroatët donin të luanin me kosovarë

Kosova e kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, por UEFA e FIFA nuk po e pranonin deri në vitin 2016. Futbolli kosovar ishte i izoluar në të katër anët.

Meqenëse nuk njihej nga UEFA e FIFA, shtetet tjera hezitonin të luanin qoftë edhe miqësore me ekipin e një shteti të ri ballkanik. Kroatët ishin ndër të rrallët që po shprehnin gatishmëri për të luajtur me kosovarët, qoftë në nivel shtetesh apo edhe klubesh.Image

Por rrethanat nuk i lejonin dot spektaklet e atilla futbollistike. Pak shkaku i infrastrukturës së dobët në vendin tonë e më shumë shkaku që rregullat nuk i lejonin shtetet anëtare të UEFA-s e FIFA-s të luanin me një shtet të panjohur nga këto dy organizata. Dhe, kësaj i shtohej edhe politizimi nga Serbia.

Sidoqoftë, kroatët ua hapnin dyert në klubet e tyre futbollistëve të “harruar” kosovarë, e po ashtu nënshkruanin marrëveshje bashkëpunimi me klubet e izoluara të Kosovës, trend ky që vazhdon edhe sot.

FIFA pamundësonte takime mes kosovarëve e kroatëve

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Kosovës për anëtarësim në UEFA e FIFA, këto të dyja mbanin të mbyllura dyert për kosovarët. Krejt çka kishte bërë FIFA ishte dhënia e lejes që Kosova të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare me përfaqësuese dhe klube.

Por, as kjo nuk kishte mjaftuar për të mundësuar takime në mes kosovarëve dhe kroatëve, sepse ai vendim nuk i linte kosovarët të takoheshin me shtetet apo klubet e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia.

Federata kroate dhe tifozët kroatë, “pro” Kosovës në UEFA

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhjetëra herë ka shprehur falënderime për Federatën e Futbollit të Kroacisë, e cila gjithnjë ishte “pro” anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Presidenti i saj, Davor Suker, thuhet se kishte lobuar në UEFA për ta përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, gjë që i hapte rrugë edhe anëtarësimit në FIFA. Madje, edhe tifozët kroatë e donin Kosovën në UEFA. Ata janë parë e janë dëgjuar nëpër ndeshjet ndërkombëtare duke i bërë thirrje UEFA-s që ta pranojë Kosovën.

Takimi i shumëpritur realizohet në Shqipëri!

Pas shumë vitesh pritjeje, më 6 tetor vjen takimi i parë ndërmjet kosovarëve dhe kroatëve. Kosova e Kroacia do të luajnë në Shkodër në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2016”, pasi infrastruktura e dobët sportive në vendin tonë ka pamundësuar zbarkimin e kroatëve në Prishtinë. Pikët janë të rëndësishme për të dyja palët, sidomos për Kroacinë, që konsiderohet favorite për ta kaluar grupin para Turqisë, Islandës, Ukrainës, Finlandës e Kosovës.

Pas një xhiroje të zhvilluar, të gjitha këto ekipe kanë nga një pikë, kështu që pikët e Shkodrës kanë vlerë të madhe. Kroacia konsiderohet favorite përballë një Kosove të porsandërtuar, shumë premtuese për të ardhmen.

Biletat dolën dje në shitje, kurse interesimi te kosovarët për t’i blerë ato ishte tepër i madh. Biletat po shiten mirë edhe në Zagreb. Kështu që era spektakël po vjen…

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.