Basha, takim me partinë e “vizave”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim një ekip të Fondacionit Eduardo Frei të partisë Kristian Demokrate Holandeze CDA, parti kjo e cila ishte nismëtarja për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, në debatin e nisur pak muaj më parë.

Lajme

24/09/2017 14:27

Siç njofton zyra e shtypit e Partisë Demorkatike, kreu demokrat Basha shprehu shqetësimin e rritjes dhe fuqizimit të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Shqipëri, dhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE, përfshirë Holandën. “Në këto katër vite, siç konfirmojnë raportet e EUROPOL dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është kthyer në një bazë të veprimtarisë së grupeve të organizuara kriminale”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Kryetari i opozitës, edhe një herë vuri në dukje se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur i politikës me krimin ka goditur rëndë standardet e sigurisë dhe demokracisë, e në veçanti votën e lirë, siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit përmes presionit dhe blerjes se votës me paratë e drogës.

“Kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe bashkëqeverisja me krimin kanë kontribuar në precipitimin e një krize të rëndë në vend, çka ka rritur në rekorde historike fluksin e shqiptarëve që braktisin vendin dhe kërkojnë azil në vendet e BE-së e në Holandë, për shkak se kanë humbur besimin në të ardhmen e vendit nën qeverisjen e sotme”, mësohet të jetë shprehur Basha.

Por, edhe pse një takim me zyrtarët e CDA, partia që jo vetëm kërkon rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, por njihet dhe për qëndrimin e saj jo miqësor me vendin tonë, në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Selia Blu, nuk përmendet që Lulzim Basha të ketë kërkuar informacion mbi nismën e tyre për rikthimin e vizave për shqiptarët, apo t’i ketë kundërshtuar ata. /TopChannel/