Basha: Shqiptarët nuk pranojnë më demokraci fasadë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi protestuesit e vendosur në çadrën para Kryeministrisë në 26-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, për të rinovuar, sipas tij, mesazhin e madh popullor: “shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë”.

Lajme

20/02/2017 11:49

“Shqiptarët u ngritën në 20 shkurt dhe morën në dorë fatin e tyre, pasi nuk e pranonin dot demokracinë fasadë. Sot, kemi sërish demokraci fasadë. Demokracia fasadë është e keqja e të gjitha të këqijave. Ku ka demokraci fasadë, ka ekonomi fasadë, shëndetësi fasadë dhe bujqësi fasadë. Pas demokracisë fasadë fshihen kriminelë që sot janë bërë deputetë e kryetarë bashkish. Ndaj, jemi mbledhur këtu për të rinovuar mesazhin e madh popullor: shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë! Shqiptarët janë ngritur për demokracinë e vërtetë që arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.

“Tani që vendimi i madh popullor është marrë, ne themi se zgjedhje të lira e të ndershme do të ketë vetëm me qeveri teknike, pa Edi Ramën kryeministër. Nga kjo nuk ka kthim. Një tjetër miting më i madh do të mbahet”, shtoi Basha.

Kreu i PD-së shtoi se bashkimi i shqiptarëve “sa vjen e po rritet”.

“Ka ardhur koha që të vrasim frikën dhe të marrim në dorë fatin. Fati merret në dorë duke bërë të mundur që vota e çdo qytetari të lexohet ashtu siç është hedhur. Ky kryeministër nuk e garanton këtë gjë. Nuk ka rrugë tjetër përveçse një qeverie teknike. Ne do të shkonim në zgjedhje me votim dhe numërim elektronik, këta e zvarritën, sepse mendojnë se 18 qershorin do e trajtojnë si zgjedhje fasadë, për t’i hedhur hi syve shqiptarëve e botës”, u shpreh Basha.

/ Top Channel