Basha: Shqipëri apo Kosovë? Ky është vendimi im …

Migjen Basha ka folur për mundësinë e largimit nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe kalimin tek skuadra e Kosovës.

Sport

24/07/2016 22:10

Për një nga të paktët lojtarë të Kombëtares që mund të bëjë “regji” në mesfushë, Shqipërisë i mungoi fati në Europian. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Migjen Basha ka analizuar paraqitjet e kuqezinjve në këtë eveniment si dhe ka bërë prognozën e tij në lidhje me kualifikueset e radhës për në “Rusi 2018”.

Jo vetëm pjesëmarrja e Shqipërisë në Francë ishte një lajm i gëzueshëm për shqiptarët, por edhe pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA ishte diçka pozitive sa i përket aspektit sportiv dhe futbollistik.

Trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi konfirmoi lajmin e bërë publik ditë më parë se do të largohej një nga kuqezinjtë drejt Kosovës. Nga ana tjetër, ishte Bunjaki që u shpreh se pret disa futbollistë që kanë qenë pjesëmarrës në “Francë 2016”. Një prej kuqezinjve nuk ka qenë i prerë dhe i vendosur për të dhënë përgjigje. “Në shtator do ta shihni se çfarë kam zgjedhur”, është shprehur Basha për gazetën.

Migjen, pas Europianit, a ndryshuan edhe pushimet tuaja këtë verë?

Jo, nuk ndryshuan sepse kam bërë të njëjtin pushim si çdo vit. E vetmja diferencë ishte se adrenalina e pjesëmarrjes në Francë më ka mbetur deri vonë dhe nuk më hiqej nga trupi.

Çfarë emocionesh përjetuat gjatë ndeshjes së parë kundër Zvicrës? Ju erdhi ndër mend ndonjë moment nga e shkuara juaj me helvetët?

Ajo ishte një ndeshje me shumë emocione për të gjithë, sidomos për ne shqiptarët, pasi luanim për herë të parë në një eveniment të tillë. Megjithatë, nuk kam menduar aspak për të shkuarën. Këtë e them për periudhën përpara nisjes së takimit, sepse gjatë ndeshjes mendoja vetëm faktin që kemi mundësi të marrim rezultat pozitiv, pavarësisht që mbetëm një lojtar më pak. Ne e treguam deri në fund që mund të merrnim më shumë në atë takim.

Si e përkufizoni paraqitjen e Shqipërisë në Europian?

Kam dëgjuar shumë fjalë, madje edhe negative rreth Kombëtares dhe lojtarëve. Shumica kritikuan se ‘filani’ nuk është për në Europian, apo ‘fisteku’ nuk e meriton. Unë mund të them që askush nga lojtarët nuk e humbi për asnjë sekondë përqendrimin në secilën prej ndeshjeve dhe besoj që të gjithë kemi bërë një super paraqitje. Këtë e dëshmoi edhe fakti që për pak mund të kishim kaluar grupin.

Cili ka qenë momenti më i bukur?

Për cilindo mund të ketë momente të veçanta që i cilëson si të tilla. Unë personalisht kam dy. Njëra është fitorja kundër Rumanisë dhe tjetra, festimin me vajzën time në fushë në fund të ndeshjes, përpara të gjithë tifozëve tanë që ishin të shumtë në numër. Ishte emocionuese!

Po më i vështiri?

Këtë herë kam vetëm një dhe ishte humbja kundër Francës. Dhamë shumë në fushë, bëmë shumë mirë në atë ndeshje, por fatkeqësisht dolëm me rezultat negativ.

A kujtoni ndonjë moment gazmor në Francë apo edhe gjatë grumbullimit në Austri?

Po, është një shumë interesant, për të cilin më vjen të qesh sa herë e kujtoj. Është shumë i veçantë dhe i tillë për të bërë humor mes një grupi njerëzish siç ishim ne në grumbullim.

Mund të bëhet publik?

Po, bëhet fjalë për momentin kur është shpallur lista e lojtarëve të përzgjedhur për në Francë. Pra, grupi i 23 i futbollistëve. Ajo listë ishte shkruar me shkrim dore, në një mënyrë të tillë që unë e kisha shumë të vështirë t’i lexoja emrat. Kur kam parë emrin dhe mbiemrin e portierit të Skënderbeut, ishte shënuar “Orges Sexi”. Në atë moment kemi qeshur shumë dhe që nga ai moment për të mbeti si një lloj pseudonimi, pasi tashmë ashtu e thërras: “Orges Seksi” (qesh). Ishte momenti i parë që zhdramatizoi situatën, pas tensionit për të mësuar lojtarët që do të ishin në Europian.

Sipas jush, çfarë i mungoi Shqipërisë për të bërë më shumë në këto tri ndeshje, në mënyrë që të shkonte edhe më tej?

Për këtë duhet një analizë që cilido mund ta bëjë dhe të dalë në përfundime, se çfarë do të duhet të bënim më mirë në Francë. Megjithatë, sipas meje, na mungoi fati. Të gjithë e dimë që në një lojë është shumë i rëndësishëm dhe ndonjëherë po aq sa edhe përgatitjet apo vlerat e vërteta që ka një skuadër në përballjen me ekipin tjetër.

Nëse do t’ju jepej mundësia të ndryshonit vetëm një moment nga Europiani, çfarë do të kishit dëshirë të bënit ndryshe?

Asgjë!

E thatë me shumë bindje…

Po, sepse me alibi nuk arrihet asgjë. Kështu e ka futbolli dhe duhet pranuar edhe kur rezultatet nuk janë ato më të mirat. Ne kemi bërë maksimumin dhe kemi përmirësuar imazhin e të gjithë shqiptarëve.

Në kualifikueset e radhës, Shqipëria do të jetë në të njëjtin grup me Spanjën dhe Italinë. Cili duhet të jetë objektivi i Shqipërisë?

Ka një shprehje që mbase duket si e rëndomtë, por mua më pëlqen: Futbollit nuk i dihet asnjëherë dhe kjo e bën kaq masiv. Sigurisht që Spanja dhe Italia janë ekipet favorite për të shkuar në Rusi, mirëpo ne duhet të bëjmë lojën tonë. Të luftojmë në çdo moment te secila prej ndeshjeve në këto kualifikuese dhe më pas do të shohim. Duke qenë se është kaq shumë e vështirë, na duhet edhe fat në këto kualifikuese për të provuar.

Kualifikimin?

Këtë nuk e di. Jua thashë që në këtë sport nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë.

A ekziston rreziku që lojtarët të kenë vetëvlerësim më të madh në këto kualifikuese dhe kjo të ndikojë negativisht?

Shpresoj të mos ndodhë që të nënvlerësojmë ndeshjet përveç atyre me Spanjën dhe me Italinë, në të cilat motivimi është ekstra për çdo skuadër në botë kur luan përballë tyre. Para Europianit, askush nga ne nuk ishte fenomen dhe nuk besoj se ky kompeticion na bëri të tillë. Duhet të mbetemi të njëjtët lojtarë: Me këmbë në tokë, të punojmë shumë dhe mbi të gjitha me zemër të madhe në çdo sekondë gjatë ndeshjeve.

Çfarë do të ndodhë me të ardhmen tuaj?

Për momentin, e ardhmja ime është në pikëpyetje. Nuk e di se ku do të luaj.

Do të jeni pjesë e Luzernës për ndeshjet kualifikuese në Europë?

Kam nisur përgatitjet prej disa ditësh, mirëpo ende nuk kam folur me klubin. Dëshira ime është që të largohem dhe besoj se nuk do të jem pjesë e Luzernës për këto ndeshje.

Lojtarët nga Kosova kanë tashmë dy mundësi për të zgjedhur. Ju personalisht, si i jeni përgjigjur De Biasit në telefonatën që ka bërë me secilin nga ju?

Do ta shohim në shtator se çfarë do të ndodhë dhe atëherë do të kuptohet çfarë kam zgjedhur. Megjithatë, nëse De Biasi nuk do të më ftojë, kjo është tjetër gjë pastaj.