Basha: SHBA dhe Gjermania janë me PD!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë dhënë gazetares Desada Metaj për “Opinion” është shprehur i palëkundur në qëndrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, për të mos hyrë në asnjë zgjedhje qofshin të pjesshme, lokale apo kombëtare, nëse nuk dorëhiqet qeveria aktuale dhe nuk krijohet një qeveri teknike që do të sigurojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Lajme

27/03/2017 23:46

Po kështu Basha ka rrëzuar qasjen e disa mediave se administrata Trump nuk mbështet protestën e Partisë Demokratike.

Intervista për “Opinion”

Z.Basha a mund të jini më i qartë në konfirmimin që keni marrë për vazhdimin e protestës suaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka pasur deklarata dhe kundërdeklarata për atë çfarë keni biseduar në Departamentin e Shtetit.

Asnjë kundërdeklaratë. Unë jam shprehur fare qartë kur erdha nga Washingtoni. Nga Washingtoni erdha me tre mesazhe. Mesazhi i parë është një mesazh përgëzimi për qytetarët shqiptarë, për këtë lëvizje kombëtare, paqësore demokratike për një kauzë të madhe siç është kauza e lirisë, kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Mesazhi i dytë është falenderimi që shqiptarët të bashkuar, të emancipuar nga frika e krimit dhe një qeverisje të bërë njësh me krimin po bëjnë detyrën e tyre në një front të gjerë ku luftohet për lirinë. Ku liria është e kërcënuar nga krimi i organizuar nga tirania, nga terrorizmi nga keqqeverisja dhe këtu në këtë pjesë të frontit kërcënohet nga keqqeverisja, nga krimi i organizuar nga droga dhe këto dy komponentë lidhen fare mirë me rrezikun terrorist që i kanoset sot botës së civilizuar, Shteteve të Bashkuara në tërësi.

Prandaj është një falenderim që shqiptarët me qëndresën e tyre, me vendosmërinë e tyre për të luftuar për liri bëhen pjesë e këtij fronti të lirisë.

Dhe mesazhi i tretë është mbështetja totale nga Partia Republikane dhe në veçanti nga stafi fitues i fushatës presidenciale të Donald Trump për fushatën e ardhshme të Partisë Demokratike.

Do të kemi ekspertët e fushatës fituese të Presidentit Trump në krah të Partisë Demokratike në fushatën zgjedhore që do të vijë menjëherë pasi të sigurojmë kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike, vetëm dhe përmes një qeverie teknike.

Megjithatë mbrëmë është shfaqur një deklaratë….

Nuk komentoj media nën presion qeveritar aq më pak me zëdhënësa me emra apo pa emra. Qëndrimi im është i qartë. Kam thënë dhe kam përsëritur dhe e përsëris sërish sot mesazhin që kam marrë nga Washingtoni. Siç ma kanë dhënë ua kam thënë edhe protestuesve në çadër. Kush shton apo heq nga qëndrimet e mia nuk e bën për hesapin tim por e bën për hesap të vet. Dhe unë nuk merrem me komente të atyre që bëjnë hesapet e tyre.

Qëndrimi im ka qenë i qartë. Nuk ka asnjë interferencë apo spinim mediatik apo të çfarëdollojshëm që të më heqë asnjë presje apo pikë nga ato që them.

Po për letrën që ka mbërritur nga një zyrtar i lartë i zonjës Merkel…Ku ndër të tjera thuhet që pas votimit që është bërë për reformën në Drejtësi duhet që bashkëpunimi të vazhdojë edhe për çështjen e zgjedhjeve…

Shqetësim shumë, shumë i madh për zgjedhjet. Dhe ky është kontribut i një aleati me një kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë Europiane, Gjermanisë, dhe partisë tonë simotër CDU-së dhe grupit parlamentar CDU-SDU. Absolutisht që ky rezultat vjen si pasojë e njohjes së thellë të problematikës. Denoncimit të kësaj probkematike pak metra më tej të z. Krishbaum, mohimit dhe fshehjes së kësaj problematike nga kryeministri disa ditë para se të shkonte te Kancelarja e cila po kështu përsëriti qartësisht problemin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Problemi pra është përtej diskutimit. Në çdo deklaratë që është bërë qoftë përfaqësuesit të Amerikës në Tiranë, problematika është ajo që themi dhe që konstatojmë ne. Ne na takon të japim rrugën e zgjidhjes. Dhe ne kemi parashtruar me qytetarët shqiptarë të vetmen rrugëzgjidhje që ka mbetur që është rruga e qeverisë teknike.

Shqetësimi për bojkotin parlamentar dhe mos regjistrimi në zgjedhje është shqetësimi i miqve që duan që kjo të kalojë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Unë e mirëkuptoj këtë shqetësim por dua të përsëris nëpërmjet dritares së “Opinion” për qytetarët shqiptarë siç kam informuar miqtë në Washington, që do ti informoj edhe në qendrat e tjera të politikbërjes në Evropë që kjo nuk është dëshira jonë, nuk është zgjedhja jonë. Jemi të detyruar drejt kësaj mase ekstreme pikërisht për të detyruar qeverinë të mos shkatërrojë tullën e fundit të demokracisë dhe destabilitetit të bashkëjetesës demokratike që janë zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Kemi dhënë një zgjidhje të ndershme për të gjitha palët. Në momentin që kjo zgjidhje ekzekutohet Partia Demokratike dhe aleatët sigurisht do ti japin fund bojkotit në parlament dhe do të marrin pjesë në procesin zgjedhor të lirë dhe të ndershëm me qeveri teknike që garanton kushtet. Këto nuk varen sërish nga unë. Varet kur do ti thërrasë mendjes Edi Rama, kur do të hapë veshët të dëgjojë qytetarët. Rrugë pas nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

Pas takimeve ju keni mbledhur edhe grupin tuaj të afërt dhe grupin parlamentar. Ka pasur zëra kritike për protestën?

Asnjë zë kritik. Mbështetje totale nga grupi parlamentar, nga kryesia e Partisë, nga kolegji i kryetarëve të Partisë dhe nga aleanca, nga i gjithë koalicioni opozitar që sot ka dalë me një shkrim.

Është e vërtetë që pas kthimit tuaj nga Amerika, Partia Demokratike ka ndezur motorët e zgjedhjeve edhe në rrethe për zgjedhjet e Qershorit? Pasi deri tani dukej se të gjitha energjitë ishin projektuar te Çadra e Lirisë.

Jo. Ne kemi ndezur motorët e kontaktit me bazën. Në veçanti me qytetarët me forumet e ngritura për zgjedhje të lira që janë formuar prej dy javësh dhe funksionojnë pikërisht në kuadër të betejës qytetare për zgjedhje të lira dhe demokratike. Ka një kohë për zgjedhje dhe kjo  kohë po afron por tani është koha të përfundojnë me sukses betejën e nisur me 18 shkurt e cila ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, vetëm qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë alternativë tjetër nuk garanton votën e shqiptarëve dhe ne do të këmbëngulim për ti dalë më sukses kësaj beteje.

Mendoni se në një farë mënyre përdorja e energjive këtu ndoshta e ka humbur paksa vigjilencën e Partisë Demokratike për të organizuar strukturat nëse zgjedhjet do të jenë në qershor?

Strukturat janë tërësisht të mobilizuara, vigjilente. Është pjesë e suksesit të kësaj proteste është gatishmëria edhe potenciali i Partisë Demokratike, i aleatëve por edhe i qytetarëve për ti qëndruar. Ndaj kush shqetësohet për potencialin e Partisë Demokratike dua ti them dhe ta siguroj sot që Partia Demokratike është gati për fitore. Sigurisht me një garë të ndershme, në zgjedhje të ndershme me një qeveri teknike.

Do të merrni pjesë në zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës?

Sigurisht që këto kushte nuk mund të bëhet fjalë për asnjë proces të rregullt zgjedhor qoftë ky i pjesshëm lokal apo për zgjedhje të përgjithshme.

Atëherë Kavajën do ta keni të humbur sa kohë…

Kavajën nuk do ja dorëzojmë krimit. Për këtë të siguroj./ Opinion.al