Basha: Rama pushtues, shikoni çfarë po i bën familjeve në Shkozë

Lulzim Basha deklaroi se Edi Rama po sillet si pushtues me 153 familjet, shtëpitë e të cilëve po prishen në Shkozë.

Lajme

19/09/2017 19:08

Sipas Bashës, Rama që sot po i prish shtëpitë e këtyre banorëve, në fushatë i premtonte legalizim dhe shpronësim me vlerë sipas tregut.

Për kreun e PD-së, ky veprim është treguesi më i qartë se çfarë është dhe çfarë do të jetë qeveria e Edi Ramës.

Basha shkruan në Facebook se hapi i parë për të shembur këtë kartel ‘politiko-kriminal’ janë zgjedhjet. Këtu ai kthehet tek reforma zgjedhore, duke u shprehur se nëse çështja e zgjedhjeve nuk do të rregullohet, Shqipëria do të ketë sërish qeveri që vijnë në pushtet nëpërmjet krimit dhe drogës, duke goditur qytetarët.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës në Facebook:

Është një sjellje prej pushtuesi, ku 153 familje të cilave u ishte premtuar gjatë fushatës nga ky kryeministër, legalizim dhe shpronësim, me vlerë sipas tregut, sot ju shemben shtëpitë dhe nxirren në mes të katër rrugëve.

Ky është treguesi më i qartë se; çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të jetë qeveria e Edi Ramës. Një qeveri e cila nuk ka ardhur me votën e qytetarëve, nuk është përgjegjëse para tyre. Një qeveri që ka ardhur me lekët e pista të krimit nuk e godet krimin, por e mbron atë edhe kur krimi sulmon policinë, si në Elbasan.

Hapi i parë që duhet hedhur për shembjen e këtij sistemi të kalbur politik, të këtij karteli politiko–kriminal, janë zgjedhjet. Po nuk u rregullua çështja e zgjedhjeve do të vazhdojmë të kemi qeveri që vijnë në pushtet me paratë e krimit dhe të drogës dhe i bëjnë Amin kriminelëve, bandave, ndërkohë që godasin qytetarët.