Basha për Haradinajn: Të lejohet sa më parë të kthehet në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përgëzuar drejtësinë franceze për lirimin e ish-Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe sa më parë të bëhet i mundur kthimi i tij në Prishtinë. Kreu i demokratëve ka kërkuar gjithashtu që të gjitha urdhër-arrestet e Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së të anulohen.

Lajme

12/01/2017 16:19

“Jam i gëzuar që drejtësia franceze ka marrë një vendim që lehtëson padrejtësinë ndaj Ramush Haradinajt. Uroj që drejtesia e plotë të bëhet sa më parë dhe Ramushi të lihet sa më shpejt i lirë për t’u kthyer në Kosovë.

Urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por janë njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj politik.

Ka vetëm një garanci që kjo padrejtësi ndaj Kosovës të mos përsëritet më: të detyrohet Serbia të anullojë urdhër arrestet për luftëtarët e Kosovës. Kjo është detyra kryesore e qeverisë tonë: trysnia ndaj Serbisë dhe kerkesa ndaj vendeve të tjera për të ushtruar trysni mbi Serbinë”, deklaron Lulzim Basha.

Ramush Haradinaj u lirua sot nga gjykata franceze me kusht që të mos largohet nga Franca.