Basha e vesh me mister protestën e nesërme, fton për një “vendim të madh”

Partia Demokratike ka bërë disa protesta kundër kryeministrit Rama, por asnjëherë ato nuk janë veshur me kaq mister sa kjo e 18 shkurtit. Në një thirrje të fundit për pjesëmarrje, Lulzim Basha foli për një vendim të madh.

Lajme

17/02/2017 22:48

“Jam i bindur se e nesërmja do të jetë një festë gjigante demokracie, shprehja më e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve për t’i dhënë fund së keqes, për të marrë së bashku një vendim të madh nesër për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do ta marrim së bashku aty, të gjithë së bashku, të gjithë qytetarët”, tha Basha.

Demokratët e lidhin këtë vendim me një përpjekje për të detyruar kryeministrin Rama të japë dorëheqjen. Opozita e akuzon kryeministrin për mungesën e vullnetit për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por nga skenari i 18 shkurtit tani për tani njihet vetëm koha e nisjes së protestës.

“Fillimi i protestës është përcaktuar nga Partia Demokratike, nga opozita në orën 12:00. Qytetarët janë ata të cilët do të vendosin kohëzgjatjen dhe mbarimin e protestës, pa dyshim me fitore. Me fitore qytetare, të kauzës qytetare”, tha Basha.

Megjithatë, një vendim është marrë, protesta do të jetë paqësore, pavarësisht nëse vendimi i madh do të jetë për një qëndrim të gjatë përpara Kryeministrisë, apo për zgjerim të protestës në të gjithë vendin, përcjell Top Channel.

“Dhe ftoj çdo shqiptar, eja nesër, bashkohu! Është një bashkim i madh popullor, është një festë për çdo qytetar, me fuqinë e madhe të bashkimit përmes një proteste madhështore, të forcës së pamposhtur të qytetarëve të bashkuar, por po kështu paqësore, të vijnë me gratë, me të rejat, me të rinjtë, me familjet. Ne do të jemi me familjet tona. Do të jetë një protestë madhështore dhe të gjithë së bashku do të hapim një derë të re për Shqipërinë tonë dhe për jetën e çdo shqiptari”, shtoi Basha.