Barrierat në biznes po largojnë investitorët vendorë (Video)

Jo vetëm që nuk ka ardhje të investimeve të huaja, për shkak të kushteve jo të favorshme për të investuar, por për barrierat dhe vështirësitë e mëdha në biznes kanë shtyrë edhe investitorët vendor në Kosovë që të mendojnë për lëvizjen e kapitalit tyre në shtetet përreth Kosovës dhe më gjerë. Ndërkohë, analistë dhe biznesmen shprehin frikën se si pasojë e pakënaqësive të mëdha, me ndërtimin e autostradës për Shkup, bizneset do të lëvizin kapitalin e tyre në Maqedoni.

Lajme

26/06/2016 10:48

Në bazë të raportit të fundit të BQK-së, ka rënie të investimeve të huaja në tre mujorin e parë të këtij viti për 12.9 përqind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ikja e investitorëve vendor për drejtorinë e Agjencisë për Investime të Huaja në kuadër të MTI-së (KIESA) nuk duhet të frikësojë. Ai tha për KosovaPress se kjo është e natyrshme dhe në aspektin global shtetet po lëvizin drejt një sistemi të tregut të lirë ekonomik.

“Natyrisht që kompanitë në një treg të lirë të kapitalit dhe të investimeve siç është Kosova dhe tërë rajoni por edhe në aspektin global të gjitha shtetet janë ose po lëvizin drejt një sistemi të tregut të lirë ekonomik. Në këtë aspekt natyrisht që bizneset do të lëvizin nga një shtet në shtetin tjetër, kjo është një gjë normale dhe nuk duhet shikuar si një sfidë ose diçka shumë negative….Kjo nuk duhet të na frikësoj, sepse kjo është edhe një formë goxha e mirë e diplomacisë ekonomike, ku kompanitë kosovare ose kompanitë që kanë investuar në Kosovë, investojnë edhe në shtetet tjera. Kjo angazhohet për të bërë edhe një diplomaci ekonomike për Kosovën duke promovuar ekonominë kosovare, shkathtësitë e tregut të punës, produktet kosovare dhe të gjitha potencialet investuese dhe ekonomike të Kosovës”, deklaroi Mustafa.

Mirëpo, drejtori i KIESA, ka pranuar se në Kosovë ka barriera dhe sfida në sektorin privatr, të cilat thotë se po punohet në projekte dhe masa konkrete për t’i evidentuar dhe tejkaluar.

“Barriera, natyrisht që ka sikur në Kosovë edhe në çdo shtet tjetër, edhe vet studimi i Bankës Botërore i të bërit biznes identifikon disa nga barrierat kryesore për Kosovë siç janë qasja në financa, stabiliteti politik, regjistrimi i bizneseve dhe çështje të tjera teknike. Qeveria e Kosovës ka krijuar edhe grupe punuese të udhëhequra nga vet Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të cilat po punojnë në projekte dhe masa konkrete për t’i evidentuar dhe tejkaluar këto sfida të sektorit privat”, tha Mustafa.

Hulumtuesi në Institutin GAP, Berat Thaçi, për KosovaPress theksoi se për nxitjen e investitorëve të huaj dhe të brendshëm, Kosova ka mbetur mbrapa për faktin se nuk ka krijuar lehtësira fiskale për pushime tatimore, ka problem me furnizim të energjisë dhe probleme për eksport.

“Kosova ka mbetur mbrapa për nxitjen e investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm, është edhe çështja e krijimit të lehtësirave fiskale apo pushimeve tatimore… lehtësira edhe për numrin e pagesave të tatimeve brenda vitit. Të gjithë këta janë disa faktorë që Kosova duhet t’i shqyrtoj seriozisht që në një të ardhme shumë të afërt të ndërmarrë reforma, sepse ne jemi mbrapa në garën e tërheqjes së investitorëve”, theksoi Thaçi.

Ai tha se përveç investitorëve të jashtëm, është me rëndësi edhe mbajtja apo nxitja e e investitorëve të brendshëm, për arsye se mund të të shkojnë për të investuar në Maqedoni për shkak se kjo e fundit është duke i ofruar kushte më të mira.

“Kur të përfundon edhe autostrada do të jetë shumë e lehtë që bizneset kosovare të lëvizin me kapitalin e tyre në Maqedoni dhe kjo pastaj do t’i shkaktonte dëme ekonomisë kosovare, qoftë për nga ulja e numrit të të punësuarve që është një problem shumë i madh që ne kemi si shtet, ashtu edhe për nga faktorë të tjerë që rrjedhin nga investimet”, tha Thaçi.

Hulumtuesi në GAP tha ndër të tjera se nevojitet një përmirësim i ambientit të të bërit biznes në përgjithësi, duke filluar nga zbatimi i kontratave, forcimi i sundimit të ligjit dhe efikasitetit në zbatimin kontratave nga ana e gjyqësorit. Faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në këto investime janë cilësia e edukimit, ndryshimet tatimore apo krijimi i nxitësve të ndryshëm fiskal, si dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në efikasitetin të bërit biznes për uljen e kostos.

Drejtori i kompanisë “Xela”, Samir Krasniqi, theksoi për KosovaPress se si prodhues i materialit ndërtimor ballafaqohet me vështirësi të ndryshme. Ai ka përmendur reduktimet e energjisë elektrike, me burokraci institucionale për bizneset dhe konkurrencë jo fer. Ai thotë se ka investuar 12 milionë euro në Kosovë, dhe e ka pak të vështirë që të lëviz me biznesin e tij në shtetet tjera.

“Jemi ballafaquar me vështirësi të natyrave më ndryshe në fillim, por tash me këto që ballafaqohemi të gjithë që nuk janë të pakta. Edhe sot ndodhë që gjatë prodhimit të kemi reduktime të rrymës elektrike që sot është banale kjo gjë. Kemi vështirësi të shumta me burokraci institucionale dhe vështirësi të shumta, me një fjalë që nuk mbrohemi si produkt që prodhohet këtu. Pra, nuk mbrohemi nga konkurrenca jolojale dhe nga konkurrenca e shteteve që i favorizojnë produktet e tyre… Natyra e kompanisë tonë është e tillë që nuk mund të bësh lëvizje të tilla, është një investim më shumë se 12 milionë euro… Nga këtu furnizohen shtetet fqinje, Maqedonia dhe Shqipëria me produktet tona”, theksoi Krasniqi.

Ai tha se vështirësi ka mjaft për të bërë biznes, dhe është e vërtet që Kosova çalon në këtë drejtim dhe për fat të keq ka pasur ikje të investitorëve nga Kosova.

“Ka pasur natyrisht shumë pakënaqësi të investitorëve të huaj, ikja e tyre ka ndodhur, pra, disa kanë ikur, mirëpo këta kanë ikur që në fazën fillestare, ende pa i filluar investimet e tyre. Tërheqja është bërë nga disa që në fillim pasi kanë parë që kushtet nuk janë optimale dhe nuk janë të favorshme për të investuar në Kosovë”, tha Krasniqi.

Drejtori i kompanisë në fjalë nuk është i kënaqur me investimet e huaja, ato janë të pakta dhe në këtë drejtim sipas tij duhet punuar më shumë.

Ndryshe, në bazë të raportit të fundit të BQK-së, ka rënie të investimeve të huaja në tre mujorin e parë të këtij viti për 12.9 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./kp

YouTube player