Barra e provës së ushtrisë

Sigurisht që është mirë që Kosova do t’i ketë forcat e veta të armatosura. Mirëpo, shumëçka tjetër mbetet e paqartë sepse qëllimisht e pasqaruar.

Opinion

13/03/2014 22:45

Kosova do të bëhet me ushtri. Vetëm se nuk do të quhet ushtri por Forcë e Armatosur. Vetëm se në emërtim të saj vendi ynë do të quhet Kosova pa u përmendur Republika. Vetëm se duhet të vazhdohen ulëset e rezervuara për minoritete edhe për një mandat a dy. Vetëm se FAK-u do të jetë i orientuar më parë në misione paqeruajtëse jashtë atdheut. Vetëm se…

Sigurisht që është mirë që Kosova do t’i ketë forcat e veta të armatosura. Nuk ka shtet normal në botë që nuk ka ushtri (përveç ndonjë shembulli anekdotik). Sigurisht që numri prej 8.000 pjesëtarëve gjithsej është i konsiderueshëm. Mirëpo, shumëçka tjetër mbetet e paqartë sepse qëllimisht e pasqaruar.

Fillimisht, nuk u dha shpjegimi pse ushtria jonë e ardhshme nuk do të quhet ushtri. Madje patëm një tejkalim me arrogancë të kësaj çështjeje saqë barra e provës iu ngarkua atyre që ndaheshin të pakënaqur me emrin Forcë e Armatosur. Në fakt, ata që avokonin se në vend të emrit Ushtri do të jetë Forcë e Armatosur, duhet ta merrnin mundin që të justifikonin e arsyetoheshin, apo jo?

Së dyti, nuk flitet shumë për llojet e armatimit të FAK-ut dhe aq më pak të jepen shpjegime për nevojat e mbrojtjes së Kosovës posaçërisht në kontekstin rajonal të Ballkanit perëndimor. Kësisoj, në fokus ndodhen shkronjat në emblemë të ushtarit e jo armatimi që do të mbajë apo disponojë ai/ajo. (Meqë nuk do të quhet Ushtri por vetëm Forcë e Armatosur, a do të thotë kjo që nuk do të kemi ushtarë por vetëm pjesëtarë të FAK?) Dy pyetje këtu janë të pashmangshme meqë thelbësore: Cila do të jetë artileria e FAK-ut dhe armatimi i rëndë i saj në përgjithësi? Cili do të jetë niveli i aftësimit dhe përgatitjes së FAK-ut për luftë dhe luftime?

Së treti, çfarë vendi do të zë UÇK-ja, misioni e simbolet e saj, fryma e trashëgimia e saj, në FAK? Të gjithë e dimë që UÇK-ja u demilitarizua dhe u formua TMK-ja, për t’u shuar edhe kjo pastaj drejt formimit të FSK-së. A kemi ecje nëpër të njëjtën kahje apo ndryshim orientimi? A do të jetë UÇK-ja dhe dëshmorët e saj pjesë e kujtesës institucionale të FAK-ut? Çfarë historie dhe çfarë patriotizmi do t’iu mësohet qytetarëve të Republikës së Kosovës që inkuadrohen në FAK? Këto vazhdojnë të mbesin pyetje shumë të rëndësishme pa asfarë përgjigjesh.

Së katërti, nuk do mend që kollaj mund ta paramendojmë FAK-un në operacione të ndryshme në vatrat e krizës nëpër botë krahas ushtarëve të NATO-s mirëpo si duhet ta mendojmë situatën kur ushtari i Kosovës ndodhet para barrikadës në urën mbi Ibër? A ecën tutje ai/ajo apo ndalet njësoj si polici i Kosovës e pjesëtari i FSK-së? Në përgjithësi, cili do të jetë qëndrimi dhe (mos)veprimi i FAK-ut ndaj Serbisë, ndaj ushtrisë, policisë e xhandarmërisë së saj? A është Serbia shtet e ushtri armike për FAK-un apo ajo është partner bashkëpunimi sipas marrëveshjeve Thaçi-Daçiq?!

Së pesti, jemi dëshmitarë që kryetarë të komunave në veri të Ibrit (porsi një qeveri paralele) u mblodhën e u deklaruan kundër ushtrisë së ardhshme të Kosovës sido që të quhet ajo. Në po të njëjtën anë, deputetë e qeveritarë serbë të Kosovës e kushtëzojnë FAK-un me vazhdimin e ulëseve të rezervuara për ta. Ndërkohë, e dimë që kryeministri Thaçi është deklaruar për ulëse të rezervuara edhe më tej dhe me gjasë këtë premtim e ka bërë edhe në Bruksel te Daçiqi e para Baroneshës Ashton. A mos Thaçit i leverdis hapja e Kushtetutës për FAK-un sepse asisoj i kontrabandon edhe ulëset e rezervuara duke shkelur kështu edhe Paketën e Ahtisaarit që e ka fort për qejf?

Së fundmi, meqenëse në Kosovë ekonomia i është lënë tregut të lirë kurse ushtria NATO-s, kemi mbetur edhe pa ekonomi edhe pa ushtri andaj shteti i dobët i Kosovës po shkon drejt dështimit të sigurt. Rrjedhimisht, ndoshta faktorë të caktuar ndërkombëtarë duke qenë të vetëdijshëm për këtë janë përcaktuar të ndërmarrin diçka në rrafshin e mbrojtjes dhe jo në atë ekonomik pasi që, thjesht, pa asnjërën prej këtyre u bë e padurueshme tash që u mbushën gjashtë vjet të shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Në po të njëjtin kontekst, duket që ka faktorë ndërkombëtarë që e kuptojnë shumë mirë se Kosova doli shumë keq nga dialogu Thaçi-Daçiq. Serbia e fitoi edhe statusin e vendit kandidat edhe negociatat për anëtarësim të plotë në BE, kurse Kosova përveç që nuk e fitoi as liberalizimin e vizave e fitoi edhe një MSA sui generis, me ç’rast kjo sui generis peshon më rëndë sesa MSA-ja! Kur kësaj i shtohet fakti që Kosovës i gjymtohet rëndë integriteti institucional dhe territorial me Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, pa dyshim që u vlerësua se edhe Kosovës duhet t’i jepet diçka në këtë humbje të madhe që po përjeton. Meqenëse ajo realisht nuk fitoi asgjë sa i përket integrimeve evropiane mbetet që Kosova të kompensohet sadopak në aspektin e integrimeve euro-atlantike prandaj edhe kjo leje e NATO-s për shndërrimin e radhës nga FSK në FAK.

Sido që të jetë, me mënyrën se si u prezantua dhe sqarimet e munguara, FAK-u ende ngjall më shumë pyetje shtesë sesa që shërben si përgjigje përfundimtare për sfidat e Kosovës dhe shtetndërtimit të saj.