Barnat e “bunkerëve” i ofrohen pacientëve kosovarë

Aktiviteti i një kompanie për shitjen e produkteve farmaceutike dyshohet se përbënte kërcënim për shëndetin e qytetarëve.

Lajme

06/09/2014 10:08

Kompania e barnave “Mali Pharm” dyshohet se ka kontrabanduar barna në të zezën.

Këto barna kjo kompani i ka ruajtur nëpër bunkerë në qytetin e Pejës dhe nuk përjashtohet mundësia që ato kanë përfunduar tek qytetarët.

Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore (AKPM) ka thënë se kësaj kompanie ka më shumë se një vit që nuk i është vazhduar licenca, ndërsa nuk ka dhënë sqarime se si do ta identifikojnë mallin e shpërndarë nja kjo kompani, e cila produktet i kishte fshehur nëpër bunkerë.

Dogana e Kosovës javën e kaluar e ka bastisur këtë kompani. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci ka thënë se kjo kompani kishte fshehur barna në dy bunkerë. “Operacioni është zhvilluar nga Sektori i Antikontrabandës Qendrore në qytetin e Pejës, tek subjekti i dyshuar ‘Mali Pharm’ me seli në ish-depon farmaceutike të Spitalit Regjional të Pejës”.

“Dyshimet ishin se në këtë objekt gjenden dy pjesë të kamufluara si bunkerë dhe në to ka barna të kontrabanduara, kemi kontrolluar tërë ndërtesën dhe me vështirësi i kemi gjetur hapësirat e dyshuara të cilat ishin të kamufluara për të fshehur barnat e kontrabanduara”, ka thënë Stavileci. (Koha Ditore)